Kryeministri Edi Rama zhvilloi një konferencë për gazetarët e Bashkimit Europian që kanë ardhur në vend, ku pyetjet u përqendruan te investimi në Zvërnec dhe lidhjet e tij me Jared Kushner. Rama theksoi se çdo projekt duhet të vlerësohet mbi baza faktesh dhe rezultate konkrete, jo mbi emra apo lidhje politike të investitorëve.
Ai shpjegoi se pjesë e vëmendjes që protesta ka marrë jashtë kufijve lidhet me emrin e Donald Trump. Sipas tij, “Arsyeja pse bota është kaq e entuziazmuar për këtë është për shkak të Trumpit, sepse nuk besoj se flamingot në Shqipëri do të kishin bërë një trazim kaq të madh. Por kjo nuk ka të bëjë me Trumpin.” Rama përmendi vizitën e Jared Kushner dhe Ivanka, duke thënë se në atë kohë nuk ishte e qartë nëse Trump do të shkonte në burg apo në Shtëpinë e Bardhë, dhe theksoi se për të ata nuk ishin “familja e Trumpit, por investitorë që donin të ndërtonin në Shqipëri.”
Kryeministri reagoi ndaj akuzave dhe etiketimeve personale, duke vënë në dukje se më parë e akuzonin si “njeriun e Sorosit” dhe tani si “njeriun e Kushnerit”, dhe duke kërkuar që qytetarët të nxjerrin vetë përfundime mbi këto etiketime. Ai ripërsëriti se detyra e tij është të garantojë që vendi të ndjekë projekte të bazuara në fakte dhe rezultate, jo në emra.
Rama tha se përgjigjja për investimin në Zvërnec do të vijë nga vetë projekti: nëse ai do të japë rezultatin e pritur, do të vazhdojë; nëse jo, do të kërkohen ndryshime. Në komunikimin e tij ndaj gazetarëve, kryeministri theksoi nevojën për një qasje të matur dhe të bazuar në provat konkrete për vlerësimin e çdo investimi privat në Shqipëri.

