Disa gra që pretendojnë se janë përdhunuar ose trafikuar nga Daniel Siad, rekrutuesi franko-suedez i modeleve dhe bashkëpunëtor i Jeffrey Epstein, akuzojnë autoritetet franceze për dështim në hetim. Daniel Siad, 69 vjeç, u gjet i vdekur muajin e kaluar në apartamentin e tij në Colombes, pranë Parisit, ndërsa ndaj tij rëndonin akuza të shumta për përdhunim dhe trafikim njerëzor.
Ebba Karlsson, ish-modele suedeze, thotë se kishte denoncuar Siad për përdhunim dhe trafikim njerëzor, por ai nuk u mor kurrë në pyetje nga policia. “Na thanë për muaj të tërë se do të arrestohej, por kjo nuk ndodhi kurrë. Tani nuk do të marrim më përgjigje për atë që ndodhi,” deklaroi ajo. Karlsson rrëfen se e takoi Siadin në vitin 1990 në Stokholm, ku ai iu prezantua si punonjës mode dhe i premtoi një sesion fotografik në Monako. Sipas saj, puna nuk ekzistonte; ai e çoi në një vilë pranë Kanës, ku pretendon se e përdhunoi, dhe më pas e transportoi në Paris, prej nga ajo arriti të arratisej. Identitetin e tij të vërtetë Karlsson thotë se e mësoi pasi Departamenti Amerikan i Drejtësisë publikoi dokumente që lidhen me Epstein.
Dokumentet e publikuara tregojnë se emri i Daniel Siad shfaqet në më shumë se 2,000 dosje që lidhen me Epstein. Ato sipas tekstit përshkruajnë se Siad rekrutonte vajza të reja nga vende të ndryshme të Europës dhe i dërgonte te Epstein, duke i përcjellë fotografi dhe të dhëna personale me email. Në këmbim, Epstein i transferonte para në llogarinë e Siadit dhe mbulonte shpenzimet e udhëtimeve të tij në vende si Polonia, Sllovakia, Hungaria dhe Republika Çeke.
Disa gra dëshmojnë se u bindën të udhëtonin në New York me premtime për kontrata modelingu; një modele franceze tregoi se në SHBA iu mor pasaporta dhe iu kërkua të zhvishej në apartamentin e Epstein, por ajo arriti të largohej pasi rimori dokumentet. Një tjetër grua deklaroi se ishte prezantuar me Epstein në Paris në 2013 dhe u bë viktimë e abuzimeve për gjashtë vjet, duke udhëtuar edhe në ishullin privat të Epstein.
Avokatët e viktimave po përgatisin një padi civile kundër shtetit francez, duke argumentuar se autoritetet nuk vepruan pavarësisht denoncimeve dhe provave. Prokuroria franceze tha se hetimi për rrjetin francez të Epstein do të vazhdojë, edhe pse procedimi penal ndaj Siad përfundoi pas vdekjes së tij. Viktimat këmbëngulin se drejtësia nuk u vu kurrë në vend; “Kishte disa gra që e akuzonin për përdhunim, por ai nuk u mor asnjëherë në pyetje. Ne ndihemi të tradhtuara”, tha Karlsson.

