Federata e Futbollit përfundoi me sukses kursin UEFA Goalkeeper A, nivelin më të lartë të kualifikimit për trajnerët e portierëve, i organizuar për herë të parë në Shqipëri. Programi, i nisur në maj 2025, zgjati më shumë se një vit dhe përfshiu përgatitje teorike dhe praktike në përputhje me kërkesat e futbollit modern. Në ceremoninë e diplomimit mori pjesë Presidenti i FSHF-së, Armand Duka.
Nga ky edicion u diplomuan 15 trajnerë, mes të cilëve Ilir Bozhiqi, Taulant Guma, Ideal Lekiqi, Bledian Rizvani, Alfred Osmani dhe Bledar Baholli. Gjatë programit, kursantët punuan mbi aspektet taktike, përgatitjen psikologjike, analizën e performancës dhe bashkëpunimin me stafin teknik. Në zhvillimin e kursit kontribuuan edhe specialistë ndërkombëtarë nga klube evropiane si Real Madrid, Liverpool, Inter dhe Tottenham.
Në fjalën e tij në ceremoninë e diplomimit, Presidenti Duka vlerësoi rëndësinë e programit për futbollin shqiptar dhe e konsideroi përfundimin e edicionit të parë si një hap të rëndësishëm në formimin profesional të trajnerëve të portierëve. Ai theksoi se ky ishte cikli i parë i organizuar nga FSHF për trajnerë portierash në nivelin më të lartë dhe shprehu kënaqësinë për praninë në këtë ditë të rëndësishme për futbollin. Duka përmendi historinë e shkurtër të formimit të trajnerëve zyrtarë në Shqipëri, por theksoi se zhvillimi ka qenë i madh.
Presidenti vlerësoi punën e atyre që kontribuuan në organizimin e kursit dhe nënvizoi rëndësinë e vazhdimit të programeve të kualifikimit për trajnerët në sektorë të ndryshëm të futbollit. Ai falenderoi në veçanti administratën, sekretarin e Përgjithshëm Ilir Shulkun, drejtorin teknik Abdyl Kuriun, Erion Metën si shtysë dhe Ardi Beharin si drejtues i shkollës së futbollit shqiptar, për rolin e tyre në nisjen e UEFA Goalkeeper A në 2025.
Duka i uroi trajnerët e diplomuar për sukses në punën e tyre, i inkurajoi të kontribuojnë në zhvillimin e mëtejshëm të këtij sektori dhe vuri në dukje se përvoja e këtij edicioni do të shërbejë për përmirësimin e organizimit në të ardhmen.

