Gjykata e Posaçme ka verifikuar masat e sigurisë për të arrestuarit në hetimet për pastrim parash, një operacion i zhvilluar në bashkëpunim me autoritetet italiane dhe që lidhet me grupin e Igli Kamberit. Sipas dosjes hetimore të siguruar nga gazetarja Anila Hoxha për Top Channel, prokuroria ka zbuluar një skemë të sofistikuar të transportimit të parave të përfituara nga trafiku i narkotikëve, ku shuma të mëdha lëviznin përmes shoferëve të transportit ndërkombëtar për të shmangur dokumentimin dhe kontrollin doganor, duke e vështirësuar gjurmimin e origjinës dhe deklarimin ligjor.
Metoda mbështetej në besimin mes pronarëve të parave dhe shoferëve të autobusëve dhe kamionëve, bashkëpunimi kishte karakter të vazhdueshëm dhe të organizuar, dhe shoferët përfitonin një përqindje për transportimin dhe rrezikun e marrë përsipër. Një episod kryesor i dokumentuar nga hetuesit ndodhi më 22 tetor 2024, kur një sasi e madhe parash cash, e fshehur në dy çanta me rroba të përdorura, iu dorëzua shoferit shqiptar të kamionit Sokol Fusha nga shtetasja italiane Annamaria Lamia Caputo.
Automjeti i Caputo-s, FORD C-Max me targë DK447LA, ishte nën mbikëqyrje audio dhe video; pamjet nga një pikë karburanti në autostradën SS100 në Itali kanë dokumentuar takimin dhe lidhjen e lëvizjes së parave me aktivitetin e grupit. Hetuesit dokumentojnë komunikime midis Caputo-s dhe Ergys Kastratit; Kastrati i dha udhëzime për vendtakimin dhe në një mesazh zanor tregoi zonën ku do të ndodhej personi i tij. Pak minuta para takimit, një person tjetër iu afrua Caputo-s dhe i tha: “Kur të arrijmë atje, le të bëjmë sikur nuk njihemi”, detaj që hetuesit e konsiderojnë konfirmues të organizimit dhe koordinimit.
Në orën 16:11 Caputo mbërriti në stacionin e karburantit IP pranë Capurso, në drejtim të Barit, dhe informoi Kastratin me mesazh zanor “Kam mbërritur”. Lëvizjet u dokumentuan edhe përmes GPS-it në automjet dhe kamerave të stacionit. Në vendngjarje rezulton i pranishëm edhe një AUDI A4 Avant me targë FM702DF, i drejtuar nga një person që dyshohet të jetë Sergio Lamonaca; mjeti rezulton i regjistruar në emër të Nevila Kamberit, e cila sipas sistemit “Raport & Statistika” kishte hyrë në territorin shqiptar së bashku me dy fëmijët më 8 gusht 2025. Më pas Ergys Kastrati i dërgoi Caputo-s udhëzime për të identifikuar kamionin Volvo me tendë blu që do të merrte paratë; pamjet filmike tregojnë se ky kamion kishte mbërritur dhe ishte pozicionuar në vendin e dorëzimit që në orën 14:50.

