Kryeministri Edi Rama udhëtoi drejt Armenisë për të marrë pjesë në Samitin e 8-të të Komunitetit Politik Europian, që zhvillohet të hënën, më 4 maj, në Jerevan. Ai do të marrë pjesë në darkën e mirëseardhjes të dielën të organizuar nga Presidenti i Armenisë Vahagn Khachaturyan dhe Kryeministri Nikol Pashinyan. Samiti mblodhi 48 kryetarë shtetesh dhe qeverish nën moton “Ndërtimi i së Ardhmes: Uniteti dhe Stabiliteti në Europë”, dhe për herë të parë një vend jo-europian, Kanadaja, do të jetë e pranishme me Kryeministrin Mark Carney si të ftuar.
Në një kohë transformimesh gjeopolitike, diskutimet fokusohen në forcimin e bashkëpunimit ndërmjet vendeve europiane, koordinimin e veprimeve për rritjen e qëndrueshmërisë demokratike, si dhe avancimin e lidhshmërisë dhe sigurisë ekonomike e energjetike. Në nisje të Samitit, Rama dhe delegacioni shqiptar do të priten nga Kryeministri i Armenisë Nikol Pashinyan. Samiti do të bashkëkryesohet nga Presidenti i Këshillit Europian António Costa dhe Kryeministri Pashinyan.
Brenda kornizës së samitit, Rama do të jetë pjesë e takimit të dytë informal të Koalicionit Europian Kundër Drogave (ECAD), i bashkëkryesuar nga Presidenti francez Emmanuel Macron dhe Kryeministrja e Italisë Giorgia Meloni. Diskutimet atje do të përqendrohen në forcimin e luftës kundër trafikut të drogës, përfshirë trafikun detar dhe në porte, si dhe në luftën kundër flukseve të paligjshme financiare, pastrimit të parave dhe korrupsionit. Do të trajtohen gjithashtu sfidat që lidhen me drogat sintetike në Europë, duke i kushtuar vëmendje një qasjeje gjithëpërfshirëse që përfshin masa parandaluese, trajtim, ulje të rrezikut dhe rikuperim.
Rama do të marrë pjesë edhe në një tryezë të rrumbullakët të bashkëkryesuar me Kryeministrin e Finlandës Petteri Orpo, me temë “Forcimi i lidhshmërisë dhe sigurisë ekonomike në kontekstin e tranzicionit të gjelbër”. Në këtë sesion do të diskutohen masa konkrete për rritjen e lidhshmërisë në sektorët e energjisë dhe të dixhitalit, sigurimin e zinxhirëve të qëndrueshëm të furnizimit dhe reduktimin e varësive në kontekstin e tranzicionit energjetik. Pjesëmarrja shihet si konfirmim i angazhimit të Shqipërisë për të qenë aktor aktiv në diskutimet strategjike evropiane.

