Inspektorati i Përgjithshëm dhe Agjencia e Inteligjencës Financiare (AIF) nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi institucional për forcimin e mekanizmave të parandalimit dhe raportimit të rasteve të dyshuara të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit brenda proceseve të inspektimit. Marrëveshjen e firmosi Inspektori i Përgjithshëm, Dashnor Sula, dhe Drejtori i AIF-së, Ervin Koçi.
Qëllimi kryesor i bashkëpunimit është rritja e kapaciteteve institucionale dhe profesionale të strukturave inspektuese, në mënyrë që të identifikohen në kohë fakte dhe rrethana që mund të lidhen me aktivitete financiare të paligjshme. Sipas marrëveshjes, Inspektorati i Përgjithshëm do të njoftojë menjëherë Agjencinë e Inteligjencës Financiare për çdo fakt, të dhënë apo rrethanë që ngre dyshime për veprimtari të paligjshme financiare të konstatuara gjatë ushtrimit të funksioneve të inspektimit.
Palët dakordësuan edhe shkëmbimin e informacionit dhe dokumentacionit me interes të ndërsjellë, në përputhje me legjislacionin në fuqi. Inspektorati do t’u përgjigjet kërkesave për informacion të AIF-së brenda 10 ditëve pune, ndërsa për raste urgjente afati i përgjigjes do të jetë tre ditë.
Marrëveshja përfshin gjithashtu një komponent të rëndësishëm të rritjes së kapaciteteve profesionale të personelit inspektues. AIF do të mbështesë Inspektoratin e Përgjithshëm me materiale udhëzuese, informacion mbi tipologjitë dhe indikatorët e rrezikut, si dhe do të përfshijë ekspertët e saj në aktivitetet trajnuese për inspektorët.
Dokumenti përfaqëson një hap drejt forcimit të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe rritjes së efektivitetit të mekanizmave shtetërorë në luftën kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit. Të dy institucionet shprehen të angazhuara për një bashkëpunim të vazhdueshëm, shkëmbim efektiv të informacionit dhe forcim të kapaciteteve profesionale, me synim rritjen e integritetit, transparencës dhe sigurisë së veprimtarisë financiare në Republikën e Shqipërisë.

