Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, njoftoi se ka kthyer dekoratën më të lartë shtetërore të Polonisë, “Urdhrin i Shqiponjës së Bardhë”, pas deklaratave të presidentit polak Karol Nawrocki se do t’i hiqej ajo. Dekorata i ishte dhënë Zelenskyt në vitin 2023 nga ish-presidenti Andrzej Duda.
Kthimi i dekoratës vjen në mes të tensioneve diplomatike mes Kievit dhe Varshavës, të nxitura nga vendimi i Ukrainës për të riemërtuar një njësi ushtarake me emrin e Ushtrisë Kryengritëse të Ukrainës (UPA), një grup i diskutueshëm i Luftës së Dytë Botërore. Në Poloni, UPA konsiderohet përgjegjëse për masakra ndaj civilëve polakë gjatë viteve 1943–1945, ndërsa në Ukrainë disa e shikojnë atë si një lëvizje që luftoi për pavarësi kundër forcave sovjetike, Gjermanisë naziste dhe autoriteteve polake.
Në reagimin e tij në rrjetet sociale, Zelensky theksoi se Ukraina mbetet e hapur për bashkëpunim me Poloninë dhe për dialog mbi interpretimet e së kaluarës historike, duke shprehur mirënjohje për mbështetjen polake gjatë luftës. Disa zyrtarë të tjerë ukrainas kanë vendosur po ashtu të kthejnë dekorata polake në shenjë solidariteti me presidentin e tyre.
Presidenti polak Karol Nawrocki cilësoi vendimin e Ukrainës për emërtimin e njësisë ushtarake si “të papranueshëm” dhe “shumë zhgënjyes”, por nënvizoi se kjo çështje nuk do të ndikojë në mbështetjen e Polonisë për Ukrainën në luftën kundër Rusisë. Ndërkohë, kryeministri polak Donald Tusk bëri thirrje që të dy palët të ulin tensionet, duke paralajmëruar se përplasjet mes aleatëve vetëm sa i shërbejnë interesave të Rusisë.
Polonia mbetet një nga aleatët kryesorë të Ukrainës: priti qindra mijëra refugjatë dhe shërben si qendër kyçe për ndihmën ushtarake dhe humanitare drejt Kievit. Ndërkohë, Ukraina vazhdon procesin e afrimit drejt Bashkimit Evropian.

