TIRANË- Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka ndarë një deklaratë të Sekretarit të Shtetit Marco Rubio, ku njoftohet një politikë e re për kufizimin e vizave, që prek jo vetëm individët e sanksionuar për trafik droge, por edhe anëtarët e familjes dhe bashkëpunëtorët e tyre të afërt.
Sipas urdhrit të ri, i cili zbatohet mbi bazën e Urdhrit Ekzekutiv 14059 dhe ligjit të imigracionit, personat e përfshirë në tregtinë e paligjshme të drogës, si dhe njerëzit e lidhur me ta, do të ndalohen të hyjnë në SHBA. Ky veprim synon jo vetëm ndalimin e hyrjes së tyre, por edhe pengimin e aktivitetit të mëtejshëm kriminal.
Deklarata e Sekretarit të Shtetit amerikan, Marco Rubio:
Kriza e fentanilit në Shtetet e Bashkuara është e paprecedent, me mbidozat që mbeten shkaku kryesor i vdekjes për amerikanët nga mosha 18 deri në 44 vjeç. Më shumë se 40 përqind e amerikanëve raportohen se njohin dikë që ka vdekur nga një mbidozë opioidesh, dhe në vitin 2024 Shtetet e Bashkuara patën mesatarisht mbi 220 vdekje nga mbidoza çdo ditë. Sot, po njoftoj një politikë të re kufizimi të vizave sipas seksionit 212(a)(3)(C) të Aktit të Imigracionit dhe Kombësisë, e cila do të zbatohet për anëtarët e familjes dhe bashkëpunëtorët e ngushtë personalë dhe biznesorë të individëve të sanksionuar sipas Urdhrit Ekzekutiv 14059 për vendosjen e sanksioneve ndaj personave të huaj të përfshirë në tregtinë globale të paligjshme të drogës (U.E. 14059).
Veprimi i sotëm zgjeron mjetet ekzistuese, duke përfshirë sanksionet sipas U.E. 14059 dhe pamundësitë për viza sipas seksionit 212(a)(2)(C) të Aktit të Imigracionit dhe Kombësisë për trafikantët e substancave të kontrolluara. Vendosja e kufizimeve të vizave për trafikantët e drogës, anëtarët e familjes së tyre dhe bashkëpunëtorët e ngushtë personalë dhe biznesorë, jo vetëm që do t’i pengojë ata të hyjnë në Shtetet e Bashkuara, por do të shërbejë edhe si një masë parandaluese kundër vazhdimit të aktiviteteve të paligjshme.
Departamenti Amerikan i Shtetit do të përdorë të gjitha mjetet e nevojshme për të penguar dhe çmontuar rrjedhën e fentanilit dhe drogave të tjera të paligjshme që hyjnë në Shtetet e Bashkuara dhe dëmtojnë qytetarët amerikanë.
https://www.instagram.com/p/DLhs25gthj1/embed/captioned/?cr=1&v=14&wp=1218&rd=https%3A%2F%2Fdosja.al&rp=%2Faktualitet%2Fkriza-e-fentanilit-ne-shba-e-paprecedent-ambasada-e-shba-ndan-mesazhi-i446998%3Ffbclid%3DIwZXh0bgNhZW0CMTEAAR7m3wL8T_oe19-TutKiDmc2RweKv8Zqz6W0PfePW5Y0-1jTa6IpHetVBDtk6A_aem_2BKlfADX77YOUo05qn#%7B%22ci%22%3A0%2C%22os%22%3A398%2C%22ls%22%3A185%2C%22le%22%3A356%7D