Pushuesit në resortin bregdetar të Hardelot-Plage, rreth 40 km në jug të Calaisit, përjetuan skena të pazakonta kur dhjetëra emigrantë tentuan të hipnin në një gomone për të kaluar Kanalin Anglez drejt Britanisë së Madhe. Rreth 50 persona me jelekë shpëtimi, mes tyre gra me fëmijë të vegjël, vrapuan drejt detit pasi vunë re një gomone rreth 100 metra larg bregut. Forcat e policisë franceze ndërhynë me varka dhe mjete ujore për të penguar largimin, por pas disa përpjekjesh drejtuesi i gomones arriti të largohej drejt Kanalit me disa emigrantë në bord, ndërsa pjesa tjetër e grupit mbeti në plazh.
Turistët ndoqën situatën nga afër; disa pushues u futën në kontakt me emigrantët që kishin mbetur në breg duke u dhënë ushqim dhe pije fëmijëve. Autoritetet lokalë njoftojnë se fenomeni i kalimeve të paligjshme përmes gomoneve është rritur në këtë zonë: rreth 700 emigrantë kanë arritur të kalojnë drejt Britanisë vetëm në një ditë javën e kaluar nga Hardelot-Plage dhe plazhet përreth.
Forcimi i kontrolleve policore pranë Calais ka shtyrë trafikantët të zhvendosin aktivitetin më në jug, duke përdorur plazhet më të gjata ku ndërhyrjet janë më të vështira. Në përpjekje për të përmirësuar kontrollin e kufijve, Franca dhe Britania kanë nënshkruar një marrëveshje të re vlerësohet rreth 660 milionë paund, që synon forcimin e patrullimeve në bregdetin francez. Megjithatë, autoritetet përballen me kufizime ligjore kur bëhet fjalë për ndërhyrje ndaj gomoneve, veçanërisht kur në to ndodhen shumë persona, gjë që vështirëson parandalimin e largimeve masive.
Emigrantët që tentojnë kalimin shpjegojnë se shkaku është lufta, pasiguria dhe mungesa e perspektivave në vendet e tyre. Një emigrante nga Eritrea, e identifikuar si Sara, tha se kishte tentuar kalimin me vajzën e saj 15-vjeçare, duke theksuar se në vendin e saj familjet përballen me frikë dhe pasiguri të vazhdueshme. Artikulli publikohet nga Top Channel.

