Ky është rasti i një operacioni policor në Lozhan, në malin Boden, Bashkia Maliq, ku një person i shpallur në kërkim, Violand Braçellari, 43 vjeç, ka qëlluar me armë zjarri ndaj punonjësve të Policisë. Operacioni u organizua nga Drejtoria Vendore e Policisë Korçë, Komisariati i Policisë Maliq dhe Komisariati i Policisë Korçë, si pjesë e planit të masave për kapjen e personave në kërkim, bazuar në informacion për vendndodhjen e të kërkuarit. Rreth orës 07:30 shërbimet rrethuan stanin ku dyshohej se fshihej Braçellari dhe i bënë thirrje të dorëzohej, por ai nuk iu bind dhe hapi zjarr ndaj forcave të rendit.
Si pasojë e sulmit humbi jetën inspektori Enea Mekolli, 34 vjeç, punonjës i Forcës së Posaçme “Shqiponja” të DVP Korçë, ndërsa u plagos inspektori Edison Adri, 36 vjeç, një tjetër efektiv i “Shqiponjave”. Për t’u kundërpërgjigjur sulmit, shërbimet e Policisë përdorën armë zjarri dhe gjatë shkëmbimit të zjarrit mbeti i plagosur edhe i kërkuari, i cili më pas u neutralizua dhe arrestua.
Policia njofton se Violand Braçellari ishte person me rrezikshmëri të lartë dhe i shpallur në kërkim. Në vitin 2017 ai ishte dënuar nga Gjykata e Korçës me 9 vjet, 11 muaj e 7 ditë për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, ndërsa në 2011 kundrejt tij ishte caktuar masa e sigurisë “Arrest në burg” për “Kultivimi i bimëve narkotike”.
Në drejtim të vendit të ngjarjes u nis helikopteri i shëndetësisë. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë dhe në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore, po vijon punën për dokumentimin ligjor të ngjarjes, ku humbi jetën një punonjës policie dhe mbeti i plagosur një tjetër.

