Ushtruesja e detyrës së Shefes së Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Eva Palatova, ka bërë thirrje për një formim të shpejtë të institucioneve pas zgjedhjeve të 7 qershorit, duke theksuar nevojën për kompromis politik ndërmjet partive për zgjedhjen e presidentit të vendit. Ajo theksoi pritjen e BE-së që Kosova të krijojë një qeveri stabile dhe me shumicë të fuqishme parlamentare, e cila të mundësojë vijimin e zbatimit të reformave në kuadër të agjendës evropiane.
“Duhet të shohim një formim të shpejtë të institucioneve, me një qeveri që ka shumicë të fortë në Kuvend, që ka aftësi të gjenerojë kompromise të shëndetshme ndërpartiake për të zgjedhur presidentin dhe të vazhdojë me reformat”, deklaroi Palatova. Sipas saj, stabiliteti institucional i tillë është i rëndësishëm jo vetëm për funksionimin e brendshëm të vendit, por edhe për përparimin e proceseve integruese drejt Bashkimit Evropian.
Palatova po ashtu vuri në dukje karakterin shumetnik të Kosovës dhe e cilësoi atë si një vlerë të rëndësishme për shtetet anëtare të BE-së. “Karakteri shumetnik i Kosovës është me vlerë të madhe për të gjitha shtetet tona anëtare. Të gjitha kryeqytetet tona vëzhgojnë ruajtjen e tij, angazhimin konstruktiv me të gjitha komunitetet shumicë, në mënyrë që të gjithë kosovarët, pavarësisht përkatësisë etnike, të ndiejnë se kanë një shtëpi dhe perspektivë këtu”, tha ajo.
Deklaratat e Palatovës vijnë në një periudhë kur skena politike në Kosovë është në fazën përfundimtare të fushatës zgjedhore për zgjedhjet e 7 qershorit. Në këtë kontekst, çështja e krijimit të shumicës parlamentare dhe zgjedhjes së presidentit përmendet si një nga sfidat kryesore politike pas procesit zgjedhor. Palatova i bëri thirrje palëve politike për dialog dhe kompromis, me qëllim formimin e institucioneve që do të mundësonin stabilitetin dhe vazhdimësinë e reformave drejt integrimit evropian.

