Nuk pati fitues në ndeshjen e zhvilluar në Debrecen mes Izraelit dhe Kosovës, e vlefshme për raundin e tretë të Nations League; 90 minutëshi përfundoi 0-0 dhe secila skuadër mori nga një pikë. Minutat e para ishin të qeta, me të dyja skuadrat që u dukën si në fazë studimi. Në minutën e nëntë Avdyli harkoi një top në zonë, por topi shkoi në duart e portierit.
Më pas ishte Izraeli që krijoi dy raste të rrezikshme, ku protagonist u bë portieri i Kosovës, Saipi, i cili ndali tentativat e kundërshtarëve dhe mbajti portën të paprekur. Pas këtyre momenteve ndeshja u ndez; Kosova u kundërpërgjigj me Dellovën, që tentoi me një gjuajtje nga distanca, por portieri kundërshtar e devijoi me vështirësi. Pjesa e parë u mbyll 0-0.
Pjesa e dytë nisi me një tentativë të Jasharit, por gjuajtja e tij u ndal nga portieri Tzur. Në krahun tjetër, edhe Shaipi diti të mbajë portën e dardanëve të paprekur teksa ndali një tjetër përpjekje të izraelitëve. Trajneri Foda nisi serinë e zëvendësimeve për të rritur sulmin dhe për të zhbllokuar rezultatin, duke hedhur në fushë edhe Milot Rashicën dhe Edon Zhegrovën.
Pavarësisht ndryshimeve dhe përpjekjeve nga të dyja skuadrat, goli nuk erdhi dhe takimi përfundoi 0-0. Me këtë barazim, Kosova shkon në 4 pikë dhe pozicionohet e dyta në Grupin B3. Në krye të grupit mbetet Austria me 7 pikë, pas barazimit 2-2 me Irlandën.

