Kosova kërkon që procesi i anëtarësimit në Bashkimin Evropian të mos mbetet i bllokuar dhe në këtë drejtim po ushtrojë presion të vazhdueshëm në takimin informal të ministrave të BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor në Irlandë. Në këtë forum, ministrat përgjegjës për çështjet evropiane po përballen me homologët nga rajoni.
Jeton Zulfaj, kryenegociatori i Kosovës me BE-në, tha se Prishtina kërkon të avancojë aplikimin për anëtarësim dhe hapjen e negociatave: “Ne duam që aplikimi i Kosovës të ecë përpara dhe të hapen bisedimet për anëtarësim. Jemi i vetmi shtet që nuk ka statusin e vendit kandidat. BE-ja duhet të japë rezultate në këtë drejtim. Jam këtu për ta çuar përpara këtë mesazh.” Ai vlerësoi se mesazhi që po dërgohet te qytetarët e Kosovës, pasi aplikimi ka qëndruar pa u shqyrtuar më shumë se katër vjet, nuk është pozitiv. “Nuk është një mesazh i mirë. Kjo tregon mungesë lidershipi në BE dhe mendoj se është një përgjegjësi e përbashkët. BE-ja duhet të bëjë pjesën e saj, ndërsa arritja e konsensusit brenda bllokut duhet të jetë përgjegjësi e vetë BE-së. Çdo vend, i madh apo i vogël, duhet ta ndiejë urgjencën për unitet brenda Bashkimit Evropian,” tha Zulfaj.
Kosova ka dorëzuar aplikimin për anëtarësim në dhjetor 2022, por kërkesa nuk ka kaluar ende fazën e parë formale të procesit, që përfshin shqyrtimin nga Këshilli i BE-së dhe më pas kërkesën për një opinion nga Komisioni Evropian. Për shkak të këtij pezullimi, Kosova mbetet i vetmi vend i Ballkanit Perëndimor që nuk ka statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

