Një tufë ujqërsh sulmoi mëngjesin e sotëm hambarin me dele të familjes Pire në fshatin Tapi të Kuçovës, duke i mbytur të 13 delet. Pronari, Baftjar Pire, dhe bashkëshortja e tij shprehen se një ngjarje e tillë nuk kishte ndodhur më parë pranë banesave të tyre. Ata u përpoqën t’i largonin kafshët sapo dëgjuan zhurmat, por u tërhoqën kur një prej ujqërve tentoi të kafshonte kryefamiljarin.
Baftjari tha se rreth orës 6:30 kishte parë një ujk, por se ishin shumë më tepër kur sulmuan bagëtitë: “Ka qenë ora 6.30 se kam qenë atje unë. Një ujk pashë po janë shumë. Erdhën e sulmuan bagëtitë, 13 kokë. Nëse gënjej unë, ja tek janë, janë gjë duket. Fati im, nuk më ka ndodhur kurrë kështu, u bënë kaq vjet. Shteti e Bashkia të na ndihmojnë”, tha ai.
Çifti thotë se dëmi është kolosal, pasi fitimet nga shitja e qengjave, qumështi i deles dhe nënproduktet e tij siguronin bukën e familjes. Kryefamiljarja, Bukurie Pire, kërkon ndihmë dhe shpreh shqetësimin për rrezikun që mund të përsëritet. Ajo deklaroi se ka bërë denoncim në Bashkinë e Kuçovës, por sipas saj nuk janë marrë masa; burri dhe një komshi kanë shkuar atje pa rezultat. Bukurie përmend praninë e ferës ku sipas saj ka dhelpra e ujqër dhe thotë se kafshët dalin natën, çka i bën të ndihen të rrezikuar.
Në fjalimin e saj ajo kërkon ndërhyrje të autoriteteve lokale dhe shtetit, duke drejtuar thirrje specifike: “Duhet të marrë masa Kreshniku. Pse nuk merr masa Bashkia? Ta korrë ferrën aty. Kërkoj ndihmë nga shteti, jam në hall. Me ça të ushqehemi. Burrin e kam të sëmurë. Ku të mbytemi? Jam në hall të madh. Me këto ushqeheshim. Nuk ishin një, ishin shumë”, tha Bukurie.
Ngjarja ka lënë familjen pa burimet kryesore të të ardhurave dhe në pritje të reagimit të institucioneve lokale për të parandaluar sulme të tjera.

