Sipas bilancit për periudhën 27 korrik – 2 gusht 2026, Policia e Elbasanit ka evidentuar 9 raste të veprës penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”, të gjitha të lidhura me drejtimin e mjetit në gjendje të dehur. Nga këta drejtues, 3 janë arrestuar, ndërsa 6 të tjerë janë proceduar penalisht në gjendje të lirë.
Gjatë kontrolleve janë vendosur gjithsej 1.787 masa administrative për shkelje të ndryshme të rregullave të qarkullimit rrugor. Numrin më të lartë zënë shkeljet për tejkalim të shpejtësisë, me 1.000 gjoba, të ndjekura nga 301 masa për parakalime të gabuara. Po ashtu, janë ndëshkuar 32 drejtues për përdorimin e celularit gjatë drejtimit, 14 për drejtim nën efektin e alkoolit, 85 për mosvendosjen e rripit të sigurimit dhe 58 për mosvendosjen e kaskës mbrojtëse. Gjithashtu janë regjistruar 297 masa administrative të tjera për shkelje të ndryshme të Kodit Rrugor.
Gjatë javës janë pezulluar 3 leje drejtimi për shkelje të rënda të rregullave të qarkullimit. Policia Rrugore e Elbasanit bën me dije se kontrollet do të vijojnë në të gjitha akset e qarkut. Ajo u bën apel drejtuesve të mjeteve të respektojnë rregullat e qarkullimit, të mos drejtojnë automjetin nën efektin e alkoolit, të respektojnë kufijtë e shpejtësisë dhe të përdorin pajisjet e sigurisë, me qëllim mbrojtjen e jetës së tyre dhe të përdoruesve të tjerë të rrugës.

