Kryeministri Edi Rama reagoi në Facebook duke mbrojtur vendimin për të financuar me 4 milionë euro koncertin e Kanye West në Tiranë, ndërsa akuzoi kundërshtarët në rrjetet sociale për manipulim dhe shpifje. Rama tha se eventi do të sjellë përfitime ekonomike dhe promovim ndërkombëtar për Shqipërinë, duke përmendur se rreth 25 mijë të huaj nga 80 shtete kanë blerë bileta. Ai e paraqiti koncertin si një mundësi për promovim të turizmit dhe stimulim të ekonomisë, dhe krahasoi pritshmëritë e të ardhurave me rastin e finales së Conference League-s, ku sipas tij UEFA regjistroi 160 milionë euro hyrje, ndërsa për koncertin parashikon jo më pak se 100 milionë euro në kushte normale, pavarësisht, si tha, nga vështirësimet artificialisht krijuara nga kritikët. Si argument të drejtpërdrejtë ai solli rritjen e rezervimeve në booking.com për ditët përreth koncertit, si tregues të përfitimeve të drejtpërdrejta për familjet, bizneset dhe arkën e bashkisë e të shtetit, pa përmendur përfitimin afatgjatë.
Rama kritikoi ashpër reagimet në rrjetet sociale, duke iu referuar atyre si “sorrat dhe korbat e kanaleve sociale”, dhe akuzoi disa aktorë për llogaritje “perverse”, përdorim të profilesh fallco dhe përhapje helmash nga “duart e armiqve e dashakëqinjve të Shqipërisë”. Ai tha se kritikët po paraqesin në mënyrë djallëzore edhe çështjen e pacientëve me kancer, që sipas tyre do të mbeteshin pa ilaçe për shkak të “koncertit privat”.
Në reagim Rama kujtoi shpenzimet dhe masat e qeverisë së fundit: 15 milionë euro për ilaçet e pacientëve me kancer dhe 5 milionë për aparatura mjekësore; dyfishim të mbështetjes për personat me aftësi të kufizuara dhe kujdestarët e tyre; dyfishim të mbështetjes për fëmijët me aftësi të veçanta; dyfishim të financimit për Start Up-e dhe dyfishim të garancisë sovrane për programin “dyfisho biznesin tënd”. Ai përmendi gjithashtu financimin e paketave ekstra për zhvillim urban e rural, mbrojtje dhe bonusin e pensionistëve si pjesë të Aktit Normativ të fundqershorit. Rama përfundoi duke akuzuar kritikët se duan “të ndalin dhe kthejnë mbrapa Shqipërinë” dhe deklaroi se vendi “nuk ndalet dhe nuk ka asnjë shans të kthehet mbrapsh.”

