Komiteti Ekzekutiv i FSHF-së zhvilloi këtë të martë mbledhjen në “Shtëpinë e Futbollit”, ku diskutoi ndryshime në rregulloret e garave, formatet e kampionateve dhe projekte infrastrukturore. Një vendim kryesor është ndryshimi i formatit të “Abissnet Superiore”, që do të hyjë në fuqi nga sezoni 2026/2027, me qëllim rritjen e konkurrueshmërisë, ruajtjen e interesit sportiv dhe përmirësimin e përgatitjes së klubeve për kompeticionet europiane.
Nga sezoni 2026/2027 kampionati nuk do të zhvillohet më me katër faza të rregullta, 36 javë garë dhe fazën “Final 4”. Formati i ri parashikon tre faza të rregullta me gjithsej 27 javë. Pas tyre skuadrat ndahen në dy grupe sipas renditjes përfundimtare, ndërsa pikët e grumbulluara gjatë fazës së rregullt përgjysmohen para nisjes së fazave play-off dhe play-out.
Gjashtë skuadrat e para kualifikohen në play-off, ku zhvillojnë ndeshje me sistem vajtje-ardhje në një total prej 10 javësh; skuadra që mbyll e para këtë fazë shpallet kampione e edicionit 2026/2027. Katër skuadrat në vendet 7–10 luajnë fazën play-out me sistem vajtje-ardhje-vajtje në total 9 javësh; skuadra e fundit në përfundim të play-out bie automatikisht në Kategorinë e Parë. Dy vendet e para të Kategorisë së Parë ngjiten automatikisht në “Abissnet Superiore”.
Në Kategorinë e Parë, ekipet e renditura në vendet 3, 4, 5 dhe 6 zhvillojnë ndeshje sipas skemës 3 vs 6 dhe 4 vs 5; fituesit përballen në një finale dhe fituesi i saj ngjitet në “Abissnet Superiore”. Finalistja tjetër zhvillon një finale me skuadrën e parafundit të play-out të Superiores; fituesja siguron vendin në elitë.
Duke nisur nga sezoni 2027/2028, “Abissnet Superiore” do të zgjerohet nga 10 në 12 skuadra. Sipas formatit të ri, kampionati do të ketë dy faza të rregullta me 22 javë; pas ndarjes në grupe pikët përsëri përgjysmohen. Gjashtë skuadrat e para garojnë në play-off me sistem vajtje-ardhje për 10 javë dhe shpallen kampione skuadra e renditur e para. Gjysma e poshtme përbën play-out-in me sistem vajtje-ardhje për 10 javë; dy skuadrat e fundit bien automatikisht në Kategorinë e Parë, ndërsa skuadra e treta nga fundi luan play-off për qëndrimin ndaj fituesit të play-off-it të Kategorisë së Parë. Top Channel

