Komisioni i Venecias dhe Drejtoria e Përgjithshme për të Drejtat e Njeriut dhe Shtetin e së Drejtës (DGI) kanë vlerësuar pozitivisht projektligjin “Për Financimin e Partive Politike”, dërguar për shqyrtim nga Kuvendi i Shqipërisë. Ekspertët ndërkombëtarë përshëndetën hartimin e dokumentit përmes një procesi gjithëpërfshirës, me pjesëmarrjen e mazhorancës, opozitës dhe shoqërisë civile, dhe e konsiderojnë si një përmirësim të dukshëm krahasuar me legjislacionin aktual.
Sipas Komisionit të Venecias, projektligji synon të rrisë transparencën, llogaridhënien dhe integritetin në financimin e partive politike. Ndër elementet pozitive të identifikuara janë raportimi më i detajuar financiar, përdorimi i platformave elektronike për dorëzimin dhe menaxhimin e të dhënave, forcimi i mekanizmave të kontrollit dhe auditimit, rregullimi më i qartë i burimeve të ndaluara të financimit, si dhe krijimi i një strukture të posaçme brenda Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të trajtuar çështjet e financimit.
Megjithatë, ekspertët theksuan se projektligji kërkon përmirësime të mëtejshme për të adresuar boshllëqet dhe dobësitë e evidentuara ndër vite. Ata rekomandojnë që dispozitat ligjore të jenë më të qarta dhe më të detajuara, ndërsa rregullat teknike të lihen për zbatim në aktet nënligjore.
Një shqetësim i veçantë lidhet me financimin indirekt dhe të fshehtë të partive, përmes organizatave të lidhura me to, palëve të treta, platformave digjitale, agjencive të komunikimit, shërbimeve në natyrë dhe përdorimit të burimeve publike. Ekspertët kërkojnë masa që të zbulohen dhe të parandalohet ky lloj financimi i paqartë.
Komisioni i Venecias rekomandon gjithashtu harmonizimin e rregullave për financimin e partive me ato të financimit të fushatave zgjedhore, forcimin e kompetencave dhe pavarësisë së KQZ-së në mbikëqyrjen e financimeve politike, si dhe rishikimin e sistemit të sanksioneve për shkeljet e ligjit. Sipas opinionit, reformat e ardhshme në Kodin Zgjedhor duhet të mbyllin çdo boshllëk të mbetur dhe të sigurojnë një kuadër të plotë e të qëndrueshëm për financimin politik në Shqipëri.

