Mandati i prokurorit të përgjithshëm, Olsian Çelës, përfundon më 5 dhjetor, por Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP), i cili duhet t’i rendisë Kuvendit tre emrat potencialë, ka shkelur afatet e parashikuara me ligj. Këshilli nuk ia ka deleguar formularët ILDKPI-së brenda pesë ditëve nga mbyllja e afatit të aplikimit më 1 gusht, por kjo u bë me një muaj e gjysmë vonesë. “Kemi kaluar çdo afat”, deklaroi Ledina Riza, anëtare e KLP.
KLP nuk ka nisur ende vlerësimin paraprak të pesë kandidatëve, një proces që sipas afateve ligjore duhej të ishte mbyllur brenda 45 ditësh, pra deri më 15 shtator. Procesi nuk ka nisur dhe Këshilli nuk ka hartuar listën e emrave që plotësojnë kushtet për në garë, as listën e atyre që përjashtohen nga procesi.
Ligji ngarkon Inspektorin e Lartë të Drejtësisë (ILD) për të nisur verifikimet për shkaqet e ngërçit të procedurave, por ILD nuk ka kryer asnjë verifikim. Gjatë shtatorit, anëtarët e Këshillit u përfshinë në përplasje për përjashtimin e njëri-tjetrit, lëvizje që përshkruhet si rrjedhje votash për llogari të kandidatëve që mbështet secili anëtar.
Pas debateve njëmujore për emërimin e prokurorit të përgjithshëm, në mbledhjen e fundit, bazuar në kërkesën e njërit prej kolegëve, u përjashtua nga të gjitha procedurat e vlerësimit anëtari Zeqir Hoda, gjë që ul numrin e anëtarëve të Këshillit nga 11 në 10. Ende nuk është shqyrtuar kërkesa për të përjashtuar edhe dy anëtarë të tjerë, Vate Staka dhe Sokol Stojani.
Takimi i radhës i Këshillit është caktuar për të enjten e ardhshme. Disa mbledhje të mëparshme kanë dështuar për shkak se nuk është formuar kuorumi, duke shtuar vonesat në procesin e emërimit për postin që lirohet me 5 dhjetor.

