Evropa Jugore aktualisht është në mes të një vale ekstreme të nxehti, me temperatura që arrijnë deri në 44 gradë Celsius, gjë që ka nxitur frikën nga një situatë katastrofike, e cila është cilësuar nga shkencëtarët si një “koktej Molotov”. Ky term i referohet kushteve të rrezikshme klimatike që kontribuojnë në përhapjen e zjarreve të mëdha në rajonin e Mesdheut.
Në Francë, Météo-France ka ngritur alarmin për më shumë se gjysmën e territoreve, duke dhënë sinjalizime për rrezik të lartë. Zjarri më i madh i njohur në vend që nga viti 1949 është nën kontroll, por një person ka humbur jetën dhe shumë të tjerë kanë mbetur të plaghatur, përfshirë zjarrfikësit. Në Spanjë, autoritetet po paralajmërojnë për një “rrezik ekstrem”, me alarmin e temperaturave të larta të shpërndarë në shumicën e vendit.
Temperaturat e parashikuara mbi 40°C për ditët e ardhshme e kanë shtyrë autoritetet të bëjnë thirrje për kujdes dhe të flasin për një valë të nxehti jashtëzakonisht intensive. Ekspertët janë të alarmuar për pamundësinë e ruajtjes së kontrollit mbi zjarret, ndërsa zjarrfikësit janë duke u përballur me një situatë të vështirë.
Cristina Santin Nuno, shkencëtare në Këshillin Kombëtar të Kërkimeve Shkencore të Spanjës, thekson se numri i lartë i zjarreve ishte i pritshëm pas një pranvere të lagësht që kishte rritur bimësinë. Nxehtësia ekstreme, erërat e forta, dhe mungesa e reshjeve kanë kontribuar në krijimin e kushteve për shpërthimin e zjarreve. Ajo e shpjegon se, me kombinimin e këtyre faktorëve, një shkëndijë mund të mjaftojë për të ndezur zjarrin.
Meteorologët francezë parashikojnë se të hënën dhe të martën do të thyehen rekordet historike të temperaturave, veçanërisht në jugperëndim të Francës. Sipas shkencëtarëve, ngrohja globale ka arritur rreth 1.4°C nga ndotja nga karburantet fosile, duke rritur shqetësimin për pasojat që kanë nxehtësia ekstreme mbi jetën dhe ekosistemet në këtë rajon.















