Edicioni i 13-të i KoKo Fest u inaugurua në Korçë me shfaqjen muzikale “Katedralja”. Festivali zhvillon një maratonë teatrore që do të ofrojë mbrëmje të mbushura me mesazhe të forta, nota humori dhe emocione, duke sjellë në skenë formate të ndryshme të komedisë dhe teatrit.
Në konkurrim këtë vit ndodhen nëntë shfaqje, të prezantuara nga trupa dhe produksione të ndryshme shqiptare. Programi synon të ndërthurë përmbajtje të ndryshme dramatike dhe komike, duke i dhënë hapësirë si emrave të njohur, ashtu edhe talentëve të rinj. Në skenën e festivalit do të ngjiten figura të mëdha të teatrit si Viktor Zhusti, Luiza Xhuvani dhe Alfred Trebicka, ndërsa organizatorët i kanë rezervuar një vend të veçantë brezit të ri, për të nxitur pjesëmarrjen dhe zhvillimin e artistikës së re.
Për aktorët pjesëmarrës, KoKo Fest vazhdon të konsiderohet ngjarja më e madhe e komedisë që përmbledh të gjitha gjinitë e saj, si dhe një urë lidhëse mes brezave. Ky aspekt theksohet si element i rëndësishëm i festës, ku përveç konkurencës, vëmendja është edhe tek dialogu ndërbrezor dhe shkëmbimi profesional mes emrave të konsoliduar dhe artistëve që sapo kanë nisur karrierën.
Për më shumë se një javë, Korça do të shndërrohet në skenën ku e qeshura, mesazhet e forta dhe magjia e teatrit do të bashkojnë artistët me publikun çdo mbrëmje. Programi i festivalit premton një seri mbrëmjesh të ndryshme në ritme dhe tonalitete teatrore, të përcaktuara nga kombinimi i humorit, dramaturgjisë dhe performancës skenike.
Top Channel

