SPAK ka bërë të penduar dy persona në lidhje me dosjen e Frakullës, njëri prej të cilëve është shtetas i huaj. Pas arrestimeve për kokainën e Frakullës, dy të pandehurit kanë vendosur të flasin dhe të japin emra të tjerë. Top Channel ka informacion për emrat, por për shkak të sekretit hetimor nuk mund t’i publikojë.
Numri i të identifikuarve nga SPAK për hetimin e trafikimit ndërkombëtar të kokainës ka arritur në 15. Hetimi ka nisur në vitin 2022, kur u kapën 485.5 kilogramë kokainë, e importuar nga Kolumbia dhe e fshehur në një ngarkesë me pleh organik artificial, e sekuestruar në Frakull të Madhe, Fier.
Të arrestuar janë Klevent Gjolena, Aldi Zonja dhe Musa Gjikola, ndërsa Kevin (Arjan Margjoni) dhe Durim Keçi janë shpallur në kërkim. Prokuroria e Posaçme, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit dhe BKH, ka zhvilluar hetime të mëtejshme për trafikimin ndërkombëtar të lëndëve narkotike.
Më 4 mars 2026, Gjykata e Posaçme ka pranuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së sigurimit personal ndaj pesë personave nën hetim, duke vendosur arrest në burg. Më 5 mars, policia ka ekzekutuar masën për K. Gj., M. Gj. dhe A. Z., ndërsa K. (alias A.) M. dhe D. K. janë shpallur në kërkim.
Procedimi penal nr. 141/1.1 i vitit 2026 është rezultat i hetimeve të mëparshme, dhe Prokuroria ka ndarë akte për veprat penale të trafikimit dhe organizatave kriminale. Gjatë hetimeve, janë identifikuar pesë bashkëpunëtorë të tjerë të dyshuar. Më 19 shkurt 2026, është urdhëruar regjistrimi i shtetasve K. (alias A.) M., M. Gj., D. K., A. Z. dhe K. Gj.
Gjatë hetimeve, me autorizimin e Gjykatës së Posaçme, janë kryer kontrolle në banesa dhe automjete, duke rezultuar në sekuestrimin e disa automjeteve dhe aparateve celularë.















