Klodiana Spahiu është emëruar ministre e re e Shëndetësisë, duke zëvendësuar Evis Salën, e cila një ditë më parë dha dorëheqjen nga ky post.
Spahiu ka lindur më 22 maj 1973 në Durrës. Ajo përfundoi studimet në Fakultetin e Mjekësisë, Universiteti i Tiranës, në degën Mjekësi e Përgjithshme në vitin 1997. Midis viteve 1998 dhe 2002 u specializua në Kardiologji pranë QSUT-së “Nënë Tereza” në Tiranë.
Gjatë karrierës ka kryer specializime në kardiologjinë joinvazive, përfshirë ekokardiografinë, PU-EKG dhe Eko-Doppler të karotideve, pranë Universitetit Katolik “Sacro Cuore”, Fakulteti i Mjekësisë dhe Kirurgjisë “Agostino Gemelli” në Romë. Në vitet 2003–2004 vijoi studime pasuniversitare pranë Fakultetit të Mjekësisë, ndërsa në vitin 2005 kreu specializim në kardiologjinë invazive, kateterizimin dhe koronarografinë në Spitalin “Santa Chiara” në Pisa, Itali. Në periudhën 2012–2014 përfundoi masterin profesional në Menaxhim Shëndetësor.
Në praktikën klinike, Spahiu ka punuar në Klinikën e Parë të Kardiologjisë në QSUT dhe gjatë viteve 2003–2009 ka shërbyer si mjeke kardiologe dhe në repartin e patologjisë në Spitalin e Durrësit, ku më pas u zgjodh edhe drejtore e këtij spitali.
Ajo ka pasur angazhim akademik: në vitet 2002–2003 ishte pedagoge në Departamentin e Lëndëve Paraklinike në Universitetin e Tiranës, ndërsa në vitin 2006 ishte pedagoge e jashtme e fiziologjisë në Universitetin Privat “UFO” në Tiranë. Prej vitit 2008 është docente në praktikat e kardiologjisë pranë Universitetit “Zonja e Këshillit të Mirë” në Tiranë. Spahiu mban titullin “Doktore e Shkencave Mjekësore”.
Në politikë, Klodiana Spahiu është deputete e Kuvendit të Shqipërisë që prej vitit 2009. Gjatë aktivitetit parlamentar ka qenë pjesë e disa komisioneve dhe nënkomisioneve, ka drejtuar ose qenë anëtare e grupeve të miqësisë dhe ka shërbyer si nënkryetare e Kuvendit.

