Policia e Sarandës ekzekutoi sot vendimin e gjykatës duke arrestuar Klementin Islamaj, 43 vjeç, banor i fshatit Shalës, bashkia Konispol. Arrestimi vjen pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë e dënoi me 3 vjet e 4 muaj burg për veprën penale “Vrasje e kryer në gjendje të tronditjes së fortë psikike”.
Ngjarja ka ndodhur më 10 gusht 2024 në familjen Islamaj në Shalës të Konispolit. Sipas informacionit të asaj dite, 69-vjeçari Hysen Islamaj, babai i Klementinit, pas vrasjes së 66-vjeçares Shano Islamaj, kanosi e më pas qëlloi edhe mbi të birin, i cili në atë kohë ishte 41 vjeç.
Nga hetimet e ditës së ngjarjes dhe nga dëshmia e vetë Klementin Islamaj rezulton se në pjesën e dyshemesë, ku ndodhej trupi i nënës, kishte shumë gjak. Ai rrëfeu se babai i tij hyri nga korridori duke mbajtur në dorën e djathtë një gotë qelqi të tejdukshëm. Kur u përball me të, Klementini i tha “se çfarë kishte bërë” dhe sipas tij Hyseni i përgjigj: “Se çfarë desha e bëra, tani e keni radhën ju”. Menjëherë pas këtyre fjalëve, babai e goditi me gotën në fytyrë dhe hundë, pa e lëshuar gotën nga dora.
Klementini tha se, i trembur dhe pa parë fëmijët aty, u përpoq t’i shmangej babait. I tronditur edhe nga mosgjetja e fëmijës, ai goditi babain me grushta dhe shkelma, pa përdorur asnjë send. Pashë që babai u rrëzua dhe kishte akoma shenja jete; më pas u pendua për goditjet, ndihmoi për ta kthyer trupin me shpinë nga toka, sepse kur u rrëzua ra me brinjë gati përmbys.
Pas kësaj, Klementini shkoi brenda për të parë nëse nëna ishte gjallë; kur iu afrua trupit të saj vuri re që ajo po jepte frymën e fundit dhe më pas nuk reagoi më. Menjëherë pas kësaj, doli në oborr dhe bërtiti për njoftimin e ambulancës.
Nga materiali i përmendur mësohet gjithashtu se edhe pas pothuaj dy vjetësh nga ngjarja, 43-vjeçari ndodhet në gjendje shumë të rënduar psikike.

