Arrestimi i drejtoreshës së Shërbimit Informativ Shtetëror dhe kontrolli i banesës së njërit prej zyrtarëve më të lartë të Policisë së Shtetit tronditën opinionin publik në 24 orët e fundit. Pas arrestimit të Vlora Hysenit, në media u shfaqën pjesë të dosjes hetimore që zbuluan komunikime të saj me Ergys Agasin, një prej të arrestuarve në dosjen e AKSHI-t.
Gazetarja Anila Basha, në emisionin Top Story, komentoi mesazhet publikuar dhe dha detaje shtesë mbi përmbajtjen dhe kontekstin e tyre. Ajo theksoi se materialet e shpërndara nuk duket të kenë dalë nga qeveria, pasi sipas saj kjo nuk do të ishte në interes të saj. Basha paralajmëroi se do të dalin edhe të tjera materiale.
Sipas gazetares, komunikimet mes Hysenit dhe Agasit shkonin përtej një marrëdhënieje thjesht romantike, duke krijuar përshtypjen e një lidhjeje më të gjërë dhe më intensive. Ajo vuri në dukje se diçka thelbësisht e papranueshme për qytetarin e thjeshtë është fakti që kreu i SHISH ishte në kontakt me një person që ishte në kërkim. Në mesazhe dhe telefonata rezultonin thirrje të vazhdueshme dhe mesazhe që ishin lënë të lexuara (“seen”), elemente që sipas saj ndryshojnë imazhin publik të institucionit dhe vendosin lidhjet personale në qendër të vëmendjes.
Gazetarja shtoi se, në kontekstin politik, zbulimet përbëjnë një tronditje, dhe qeveria pritet të përpiqet ta prezantojë rastin si një përgjegjësi individuale të shefes së SHISH. Ajo ngriti pikëpyetje lidhur me mënyrën se si kanë dalë materialet, duke përmendur rolin e SPAK-ut dhe pyetjen pse informacionet janë bërë të publikuara nga kompjuterë apo fotografi të dosjeve. Basha sugjeroi se hetimi dhe procesi gjyqësor po shfaqen më shumë si një demaskim i individëve që deri tani konsideroheshin të paprekshëm, sesa si një përqendrim i pastër tek provat. Burimi i lajmit: Top Channel.

