Rrugëtimi i Endrick në elitën e futbollit ka qenë i vështirë dhe i mbushur me dyshime. Sulmuesi i Real Madrid, aktualisht me huazim te Lyon, ka kaluar muaj të tërë me pak aktivizim dhe në maj të vitit të kaluar pësoi një dëmtim që e mbajti jashtë fushave për disa javë dhe i kompromentoi pjesëmarrjen në Botërorin e Klubeve. Në një intervistë për The Guardian, ai rrëfeu frikën dhe pasigurinë që solli dëmtimi, duke pranuar se ka qarë disa herë dhe se nuk dinte nëse do të mund të ruante nivelin apo të rikthehej të luante si më parë.
Endrick tha se impakti i dëmtimit ishte total: ndjeu se mbeti shumë prapa në garën për një vend në skuadër. Pas atij incidenti ai qëndroi më shumë se tre muaj jashtë fushave dhe, pas një dëmtimi tjetër, akumuloi mbi 120 ditë jashtë fushave të lojës. Përtej aspektit fizik, përvoja pati një ndikim të fortë psikologjik dhe ndryshoi menjëherë mënyrën se si ai përballet me futbollin dhe mediat sociale. Tani nuk i kushton rëndësi asaj që thonë njerëzit; më parë pasi mbaronin ndeshjet shkonte tek rrjetet sociale për të parë komentet për të.
Ky evolucion e shtyu të reflektojë më gjerë mbi mjedisin e futbollit të elitës, të cilin e përshkroi si një ambient shumë të ashpër dhe jo të këndshëm. Në këtë proces, dhoma e zhveshjes së Real Madridit luajti një rol kyç: Endrick veçoi ndikimin e Jude Bellingham, i cili e bëri të ndihej i mirëpritur në klub, dhe Luka Modric, që sipas tij ishte futbollisti që i bëri më shumë përshtypje dhe nga i cili mori mësime çdo ditë.
Tani, me më shumë aktivizim dhe rol te Lyon, Endrick shikon drejt së ardhmes me ambicie të qarta: dëshira e tij e parë është të luajë në Botëror. Ai thotë se duhet të bëjë mirë punën te Lyon për të fituar një vend në përfaqësuese.















