Një shtetase kineze 50-vjeçare, Yu Ting, rezulton e zhdukur që prej 20 majit në Greqi. Mungesa e saj ngjalli hetime nga policia greke, e cila po heton në disa pista me sfond kriminal lidhur me përfshirjen e saj në takime dhe transaksione të dyshimta në Shqipëri e Greqi. Sipas familjarëve, mëngjesin e ditës së zhdukjes ajo doli nga shtëpia në Artemida në orën 10:05 për në qendër të Athinës, ku kishte ndërmend të mblidhte qira nga apartamentet e kinezëve të pasur; gjurmët e saj u humbën pasi zbriti nga autobusi. Bashkëshorti i saj, Vasilis Karavasilis, deklaroi se nuk ka prova që të përcaktojnë fatin e saj dhe se është e pamundur të konkludohet nëse ajo ka ikur me vullnet të lirë, duke mos përjashtuar mundësitë e rrëmbimit apo vrasjes.
Në 17 janar 2026 Yu Ting kishte marrë një leje qëndrimi njëvjeçare nga Drejtoria Vendore e Kufirit dhe Migracionit Vlorë, për shkak të interesit të saj në investime në Shqipëri. Sipas dëshmive, leja ishte për interesa lidhur me burimet e ujit në Bogovë, ku një klient kinez po kërkonte vendndodhje për të ndërtuar një impiant për shishet e ujit; përpjekjet nuk kishin përparuar, por Ting kishte qenë dy herë atje, sipas një agjenteje pasurish të paluajtshme që foli për televizionin “MEGA”.
Dëshmitarë lidhin Ting me një takim katër ditë para zhdukjes, ku ishin prezentë një agjente pasurish të paluajtshme, një kinez, një prift dhe një oficer policie në pension. Prifti tha se e kishte parë Ting disa herë dhe se ajo fliste mirë greqisht; hera e fundit që e pa ishte më 16 maj. Agjentja e pasurive të paluajtshme me origjinë shqiptare konfirmoi se kishte punuar me Ting që nga 2022, duke i treguar më shumë se 20 prona për investitorët kinezë, por pa transaksione të përfunduara. Motra e Ting tha se ajo i kishte thënë më 29 prill se donte të shkonte në Shqipëri për të treguar parcela toke.
Mediat greke raportojnë gjithashtu se Ting dyshohet e përfshirë në një çështje biznesi për blerjen e një stacioni karburanti në Athinë; një nga dy gratë kineze të përfshira pretendon se është mashtruar nga Ting dhe partneri i saj, duke investuar rreth 100,000 euro, pa rezultat.

