Bashkimi Evropian mirëpriti vendimin e presidentes së Kosovës, Justina Shiroka Pula, për ta kthyer në Kuvend për rishqyrtim ligjin për Dhomat e Specializuara. Në reagim, BE-ja ritheksoi shqetësimin mbi ndryshimet e miratuara dhe kërkoi respektimin e pavarësisë së Gjykatës Speciale, sundimit të ligjit dhe të drejtave të viktimave e dëshmitarëve të luftës.
BE-ja bëri të ditur se ka shprehur vazhdimisht shqetësim të thellë lidhur me nismën për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës, si përpara ashtu edhe pas miratimit të tij nga Kuvendi më 6 tetor 2026. Në kontekst, reagimi përmend shkëmbimin e letrave të vitit 2014 midis Përfaqësueses së Lartë të BE-së dhe presidentit të Kosovës, ku përcaktohen modalitetet e konsultimit me Bashkimin Evropian përpara ndryshimit të legjislacionit; BE-ja pret që të konsultohet nëse diskutimet rifillojnë në Kuvend.
Sundimi i ligjit dhe mbrojtja e të drejtave themelore, përfshirë të drejtat e viktimave dhe dëshmitarëve, theksohen si çështje thelbësore. Reagimi nënvizon se Dhomat e Specializuara të Kosovës janë një institucion i pavarur gjyqësor, i krijuar me vendimet e Kuvendit të Kosovës gjatë viteve 2014–2015, bazuar në një marrëveshje të posaçme me Bashkimin Evropian. Ato funksionojnë brenda sistemit juridik të Kosovës dhe janë të përfshira në Kushtetutën e Kosovës.
Bashkimi Evropian kërkon që mandati aktual dhe pavarësia e këtij institucioni të respektohen plotësisht dhe pa asnjë rezervë. Në përfundim, BE-ja shpreh solidaritetin e tij me të gjitha viktimat, të mbijetuarit dhe familjet e tyre, nga të gjitha komunitetet e prekura nga mizoritë e kryera gjatë luftës.
Top Channel

