Njësia anti-drogë e Janinës realizoi një operacion pas një ndjekjeje ku u arrestua një shtetas shqiptar dhe u sekuestruan 167 kilogramë e 200 gramë marijuanë. Operacioni nisi mëngjesin e sotëm, kur oficerët e Nëndrejerisë së Ndjekjes dhe Hetimit të Krimeve vunë re një automjet me targa ukrainase, të cilat dyshuan se ishin të falsifikuara, duke lëvizur në zonën e Konicës drejt Kozanit.
Kur policia u përpoq ta ndalte, shoferi rriti shpejtësinë dhe u përpoq të arratisej, duke kryer manovra të rrezikshme, përfshirë drejtimin në drejtim të kundërt për periudha të gjata, duke rrezikuar shoferët e tjerë. Pasioni dhe profesionalizmi i oficerëve sollën bllokimin e automjetit dhe arrestimin e personit pak kohë më vonë. Arrestimi u realizua në një rrugë rurale pranë Papigos, në zonën e Zagorisë.
Gjatë kontrollit në automjet u gjetën 28 pako që përmbanin gjithsej 167 kg e 200 gr marijuanë, të vendosura brenda kabinës dhe në bagazh. Hetimet kanë treguar gjithashtu se automjeti kishte targa të falsifikuara, ndërsa shqiptari rezultonte i pranishëm në Greqi në mënyrë të paligjshme.
Autoritetet greke theksuan se prej shtatorit kanë sekuestruar rreth një ton marijuanë që dyshohet se vjen nga Shqipëria. Rastet e zbulimit dhe sekuestrimit janë evidentuar në pika të ndryshme, përfshirë Igumenicën në rrugë tokësore dhe detare, si dhe në Janinë, Selanik e Kostur. Operacioni i sotëm shënon një ndër ndërhyrjet e fundit në serinë e ngjarjeve ku janë zbuluar ngarkesa të mëdha droge në tranzit përmes territorit grek.
Informacionet e botuara lidhur me ndjekjen, arrestimin dhe sekuestrimin vijnë nga burime policore, ndërsa hetimet përkatëse pritet të vazhdojnë për të përcaktuar rrjetet e mundshme të përfshira në import dhe trafikim të lëndëve narkotike. Top Channel

