Dorëheqja e Dan Driscoll, zyrtarit më të lartë civil të Ushtrisë amerikane, ka nxitur përplasje brenda Pentagonit pas muajsh mosmarrëveshjesh me Sekretarin e Mbrojtjes, Pete Hegseth. Sipas Financial Times, Driscoll ia paraqiti dorëheqjen Presidentit Donald Trump të hënën dhe pritet të largohet të mërkurën. Një burim tha se Driscoll besonte se ndërhyrjet e Hegseth po i shkaktonin “dëm brezash” Ushtrisë amerikane. Tom Wright nga Instituti Brookings tha se ngjarja tregon se Pentagoni është “në rrëmujë”.
Një burim kryesor i tensionit mes tyre ishte shkarkimi i Shefit të Shtabit të Ushtrisë, gjeneralit Randy George, në prill. Që prej fillimit të mandatit të dytë të Trumpit, Hegseth ka shkarkuar ose nxitur largimin e disa gjeneralëve dhe admiralëve si pjesë e një riorganizimi të udhëheqjes ushtarake. Me largimin e Driscoll, Ushtria mbetet pa një drejtues civil të përhershëm dhe pa një komandant të përhershëm, dy poste që kërkojnë konfirmimin e Senatit.
Dorëheqja vjen në një kohë kur Ushtria ka rol të rëndësishëm në mbrojtjen raketore përmes sistemeve Patriot dhe THAAD dhe me mijëra trupa të dislokuara në Lindjen e Mesme. Christopher Meger, ish-zyrtar i Pentagonit, e përshkroi Driscoll si një nga zyrtarët e pakët të lartë civilë që gëzonin besimin e trupave dhe “bënë një punë vërtet të kënaqshme”. Mosmarrëveshjet nuk lidhen vetëm me drejtimin; Driscoll ishte një figurë kryesore në zhvillimin e dronëve më të lirë, teknologjive kundër dronëve dhe sistemeve të reja të mbrojtjes nga raketat. Një burim tha se Driscoll besonte se Hegseth po përpiqej të pengonte procesin e modernizimit për arsye personale. Nën drejtimin e Driscoll, Ushtria i kishte ngarkuar një batalioni këmbësorie zhvillimin dhe integrimin e aftësive të reja të dronëve, por Hegseth më pas urdhëroi shpërbërjen e njësisë.
Dorëheqja ka shkaktuar shqetësim edhe brenda Partisë Republikane; Senatori Mike Rounds tha se ishte “i zhgënjyer”. Hegseth emëroi gjeneral-lejtnant Christopher LaNeve si komandant në detyrë dhe po kërkon që ai të merrte postin në mënyrë të përhershme, por disa senatorë republikanë sinjalizuan vështirësi konfirmimi për shkak të mënyrës së shkarkimit të gjeneralit George. Largimi i Driscoll pritet të komplikoje përpjekjet për miratimin e një buxheti prej 1.5 trilionë dollarësh dhe fondeve shtesë për luftën me Iranin. Probleme operacionale dhe financiare prekin edhe Marinën; Sekretari i Marinës, John Phelan, u shkarkua në prill dhe Trump emëroi Hung Kao si sekretar në detyrë. Senatorja Jeanne Shaheen kritikoi Hegseth dhe e kërkoi dorëheqjen, ndërsa senator i demokrat Elisha Slotkin e akuzoi Hegseth se vepron për “audiencë prej një personi” vetëm Trumpin. Megjithatë, Trump vazhdon ta mbështesë publikisht Hegseth, duke thënë se “ka bërë një punë të shkëlqyer” dhe është i përqendruar te Ushtria. Në deklaratën e dorëheqjes, Driscoll falënderoi administratën dhe tha se progresi i bërë nuk do të ishte i mundur “pa mbështetjen e Sekretarit Hegseth”.

