Kaosi përfshiu Aeroportin e Mynihut pasi një Boeing 787 i Vietnam Airlines, me destinacion Hanoi, u detyrua të rikthehej në aeroport pak pas ngritjes për shkak të një “problemi teknik”. Sipas të dhënave të Flightradar24, avioni qëndroi më shumë se dy orë në ajër, duke kryer manovra në formë rrethi për të djegur karburant dhe për të ulur peshën përpara se të rikthehej për ulje.
Dyshimet janë se avioni mund të ketë tejkaluar pistën gjatë ngritjes; në një video të transmetuar nga ABC News, Boeing 787 shihet duke u ngritur nga pista, ndërsa pas tij ngrihet një re e madhe pluhuri. Vietnam Airlines konfirmoi se fluturimi u kthye në Mynih pas ngritjes për shkak të një “problemi teknik”, pa dhënë detaje të mëtejshme mbi natyrën e defektit. Kompania tha se ekuipazhi ndoqi të gjitha procedurat e nevojshme dhe avioni u ul në mënyrë të sigurt në Aeroportin e Mynihut: “Pasagjerët dhe ekuipazhi i kabinës janë të sigurt”.
Megjithatë, incidenti shkaktoi probleme në operacionet e aeroportit pas uljes së avionit. Aeroporti i Mynihut njoftoi se Boeing 787 nuk ishte në gjendje të largohej nga pista veriore me fuqinë e vet dhe mbeti i palëvizshëm në të. Për këtë arsye pista veriore u mbyll përkohësisht dhe trafiku ajror u devijua drejt pistës jugore, duke ndryshuar operacionet në aeroport derisa situata të normalizohej.
Vietnam Airlines bëri të ditur se është në konsultim me autoritetet kompetente dhe organet përkatëse për kryerjen e inspektimit teknik të avionit. Kompania pritet të japë një përditësim të mëtejshëm pasi të përfundojë inspektimin e Boeing 787 dhe të përcaktohen hapat e mëtejshëm operacionalë. Top Channel

