Festimet për titullin kampion të Arsenalit në rrugët e Londrës u shoqëruan me incidente të shumta dhune, duke çuar në arrestimin e 24 personave dhe hapjen e hetimeve nga Policia Metropolitane. Gjatë paradës u raportuan gjashtë raste therjeje me thikë në zonën e ngjarjes; një i ri rreth të njëzetave u transportua në spital në gjendje kritike dhe me rrezik për jetën, ndërsa autoritetet bënë me dije se gjendja e tij tashmë është stabilizuar.
Policia arrestoi tre persona nën dyshimin për sulm seksual, dhe një tjetër u ndalua për plagosje të rëndë pas një sulmi që shkaktoi dëmtime serioze në kokë. Dhuna preku edhe efektivët e rendit: dhjetë persona u arrestuan për sulme ndaj policisë, pasi një oficer pësoi prerje në dorë dhe një tjetër u godit në kokë nga objekte të hedhura nga turma. Arrestime të tjera u kryen për sjellje të çrregullt në gjendje të dehur dhe për vepra penale të lidhura me drogën.
Gjatë festimeve shërbimet e emergjencës ndërhynë për të shpëtuar rreth 75 persona të bllokuar në lartësi, pasi shumë tifozë injoruan udhëzimet e autoriteteve që të mos ngjiteshin në çati, semaforë apo pemë. Në rrjetet sociale u publikuan pamje ku tre tifozë shiheshin të ulur mbi një pemë të vogël që u shemb dhe i rrëzoi ata në tokë. Video të tjera treguan përleshje mes vetë tifozëve, të cilat u ndërprenë nga mbështetës të tjerë të klubit.
London Fire Brigade raportoi gjithashtu se një flakadan i hedhur në mënyrë të pakontrolluar shkaktoi zjarr në një hotel gjatë festimeve. Komandanti i operacionit policor, Stuart Bell, falënderoi shumicën e tifozëve që festuan në mënyrë të përgjegjshme, por theksoi se policia nuk do të tolerojë akte dhune apo kriminalitet. Ai vuri në dukje episodet e sjelljes antisociale dhe sulmet ndaj oficerëve dhe njoftoi se, me kalimin e mbrëmjes, u regjistruan edhe incidente të tjera të dhunshme, përfshirë ngjarje të lidhura me grupe kriminale.
Autoritetet vazhdojnë hetimet për të zbardhur të gjitha incidentet që shënuan paradën festive të Arsenalit në kryeqytetin britanik.
