Rayo Vallecano rrezikon të luajë një pjesë të sezonit, ose edhe të gjithë sezonin, jashtë stadiumit të tij Vallecas pasi klubi ka humbur përkohësisht lejen për të përdorur impiantin si vend pritës. Humbja e lejes erdhi pas inspektimesh të kryera nga Bashkia e Madridit, të cilat evidentuan amortizim të përgjithshëm dhe mosrespektim të normativave sanitare, duke e konsideruar strukturën jo të sigurt dhe të papërshtatshme për organizimin e ngjarjeve sportive.
Gjatë inspektimeve u zbuluan probleme serioze në sistemin e mbrojtjes kundër zjarrit, instalimet elektrike dhe ndriçimin e emergjencës, si dhe shumë mangësi të tjera që burojnë nga mungesa e mirëmbajtjes. Të gjitha pajisjet e emergjencës rezultuan se kishin tejkaluar ciklin e tyre të jetës, duke rritur rrezikun e incidenteve. Këto probleme ishin të dokumentuara nga administrata rajonale dhe Rayo Vallecano nuk i ka përmbushur kërkesat përkatëse.
Në fillim, klubi pengoi personat përgjegjës për inspektim të hyjnë në stadium. Presidenti i klubit, Raúl Martín Presa, u përball me kërcënime me vdekje dhe dikush dërgoi një kurorë lulesh funebre me emrin e tij në shtëpinë e nënës së tij. Presa foli me Marca, ku shpjegoi situatën dhe kërkoi ndjesë.
Për shkak të gjetjeve, ministri spanjoll i turizmit, Mariano de Paco Serrano, ndërhyri duke pezulluar lejen e përdorimit të impiantit nga Rayo Vallecano derisa stadiumi të rikthehet në kushte të përshtatshme për mbajtjen e eventeve. Pas tërheqjes së licencës, Bashkia e Madridit angazhoi tre kompani të ndryshme për të kryer punimet e nevojshme, por koha e përfundimit të tyre mbetet e paqartë. Si pasojë, flitet që Rayo mund të mos luajë në shtëpi për periudhën nga dy deri në gjashtë muaj.
Klubi po shqyrton zgjidhje alternative për stadiumin ku do të luajë në rast se mbyllja e Vallecas zgjat për një kohë të gjatë. Ndërkaq, në skuadër luan Ivan Balliu dhe pritet që t’i bashkohet edhe Marash Kumbulla.

