Juventus është shumë pranë transferimit të sulmuesit norvegjez Alexander Sorloth, i konsideruar zëvendësuesi ideal i Dusan Vlahovic për sezonin e ardhshëm. Sulmuesi i Atletico Madrid, autor i 20 golave gjatë sezonit të fundit, është prioritet i drejtuesve bardhezinj, të cilët synojnë të mbyllin marrëveshjen sa më shpejt për të shmangur interesin e klubeve nga Premier League dhe për të evituar rritjen e vlerës së kartonit gjatë Kupës së Botës.
Sipas mediave italiane, kontaktet e fundit kanë sjellë një marrëveshje paraprake mes Juventusit dhe vetë lojtarit. Sorloth pritet të firmosë kontratë deri në vitin 2029, me opsion rinovimi deri në 2030, dhe do të përfitojë rreth 4 milionë euro neto në sezon. Në negociata ka pasur ndikim të rëndësishëm edhe trajneri Luciano Spalletti, i cili e ka kontaktuar personalisht sulmuesin për t’i prezantuar projektin teknik të skuadrës dhe ka marrë miratimin e tij të menjëhershëm.
Pala tjetër që duhet bindur është Atletico Madrid; klubi spanjoll e vlerëson kartonin e norvegjezit mes 30 dhe 35 milionë eurove, ndërsa Juventus synon të mbyllë operacionin për një shumë nën 30 milionë euro. Në favor të bardhezinjve mund të luajë edhe situata e Nico Gonzalez: argjentinasi dëshiron të qëndrojë në Madrid dhe Atletico është e interesuar për kartonin e tij. Edhe pse dy operacionet nuk lidhen zyrtarisht, raportet e mira mes klubeve mund të ndihmojnë në uljen e kërkesave ekonomike për Sorloth.
Java në vijim konsiderohet vendimtare për finalizimin e marrëveshjes. Nëse palët arrijnë akordin përfundimtar, sulmuesi mund të kryejë vizitat mjekësore para debutimit të Norvegjisë në Kupën e Botës, çka do t’i hapte rrugën transferimit të tij te Juventus.

