Çështja e Julián Álvarez ka sjellë tensione të dukshme brenda Atlético Madrid. Pas refuzimit të prerë të klubit për ta lejuar transferimin e sulmuesit te Barcelona, një pjesë e tifozëve ka shfaqur hapur pakënaqësi ndaj lojtarit. Të premten pranë qendrës stërvitore në Majadahonda u vendosën pankarta kundër tij me mbishkrimin “Julián jashtë” dhe numri 19 që ai mban te skuadra ishte i kryqëzuar. Pakënaqësia ishte shfaqur edhe më parë gjatë ndeshjes ndaj Málaga-s, kur një pjesë e tribunës së jugut e ofendoi Álvarez në minutat shtesë.
E ardhmja e argjentinasit mbetet e paqartë. Barcelona e kishte vendosur si një nga objektivat kryesorë, por Atlético ka mbajtur qëndrim të prerë kundër transferimit në Camp Nou. Drejtuesit e klubit kanë bërë të ditur se nuk duan ta shesin te Barcelona; CEO Miguel Ángel Gil Marín ka konsideruar qëndrimin e katalanasve si mungesë respekti. Oferta e Barcelonës, e përllogaritur rreth 100 milionë euro dhe e strukturuar për t’u paguar në gjashtë këste, nuk është pranuar si e kënaqshme nga drejtuesit madrilenë.
Në këtë kontekst, interesimi i Arsenalit për Álvarez mund të ndryshojë dinamikën. Atlético e sheh me sy të mirë një marrëveshje me londinezët, ndërsa si alternativë dhe potencial zëvendësues për Álvarez përmendet Viktor Gyökeres, i pëlqyer në Metropolitano. Këto lëvizje potenciale janë parë si mundësi për t’i dhënë klubit alternativa nëse ndodh largimi i sulmuesit.
Álvarez më parë kishte shprehur dëshirën për t’u larguar dhe për të realizuar atë që e cilësoi si “ëndërr”, duke iu referuar transferimit te Barcelona, por që nga ajo deklaratë ai nuk ka bërë njoftime të reja publike për të ardhmen e tij. Përplasja midis klubit, lojtarit dhe një pjese të tifozërisë po bëhet gjithnjë e më e dukshme, ndërsa ditët e fundit të merkatos pritet të përcaktojnë nëse ai do të qëndrojë në Madrid apo do të nisë një aventurë të re.

