Artistja Inida Gjata, e njohur si Zhaku, ishte e ftuar sot në emisionin “Wake Up” ku komentoi videot intime të personazheve publikë që po qarkullojnë prej disa ditësh në rrjet. Ajo tha se është e padrejtë që të bëhet një gjyq publik ndaj dy zonjave apo më shumë të përfshira dhe shprehu shqetësim për mënyrën se si po trajtohen këto raste në opinionin publik.
Zhaku theksoi se personat që janë filmuar janë viktima të një situate të padrejtë: “Po dalin çdo ditë e më shumë. Unë jam gjithmonë në krahun e tyre se ato janë filmuar padrejtësisht. Nuk jemi askush, nuk jemi Zoti, të gjykojmë nëse është morale apo amorale të kryhet një akt më shumë se dy veta. Është një gjë private. Po shoh një histeri kolektive që s’më pëlqen. Është e padrejtë të filmohesh në momente intime, pa dijeninë tënde. Është e padrejtë që të shpërndahen këto video për publikun e gjerë. Këto zonja janë viktima të bullizmit tani, të dëmtimit të karrierës, të imazhit që kanë krijuar me punën e tyre. Janë bërë tabelë qitje për sharje, fyerje dhe gjykime.”
Ajo po ashtu tha se pas reagimit të saj në rrjetet sociale ka marrë komente që i sugjeronin se “të showbiz-it kështu i arrijnë gjërat, duke hapur këmbët”. Zhaku i cilësoi këto komente si ofenduese dhe si një përgjithësim që fut “të gjithë në një thes”. Siç deklaroi vetë, përplasja me këtë përceptim ishte personale: “Ma kanë bërë mua shpesh këtë. Pas reagimit të djeshëm më kanë komentuar dhe mua, duke thënë se kështu i arrini ju të showbiz-it gjërat, duke hapur këmbë. Tani më fal, ky është një ofendim shumë i madh. Të na fusin të gjithë ne në një thes, e përgjithësojnë, tani jemi të gjitha ashtu, duke bërë gjëra pa punë dhe pa përpjekje. Por në fakt është e kundërta, mund të them me gojën plot që për njerëzit e suksesshëm nuk është dashur që të bëjnë të tilla gjëra. Ata që janë në media e kanë arritur me punë.”
Në intervistë, Zhaku insiston se shpërndarja e këtyre materialeve pa pëlqim është e padrejtë dhe se pasojat për personat e përfshirë janë lidhur me bullizmin, dëmtimin e karrierës dhe sulme ndaj imazhit të tyre.

