Marco Palestra po konfirmohet si një nga talentet më të spikatura të këtij kampionati. Mbrojtësi i Atalantës, i huazuar te Cagliari, ka bërë paraqitje të larta që i dhanë edhe ftesën në kombëtaren italiane, duke u konsideruar si një nga të rinjtë mbi të cilët mund të ndërtohet e ardhmja e Të Kaltërve. Megjithatë, ekziston rreziku që Serie A të humbasë shërbimet e tij brenda pak muajsh, për shkak të interesit të gjerë për shërbimet e 21-vjeçarit.
Të gjitha klubet kryesore italiane janë shfaqur të interesuara, me Interin në krye të listës, ndërsa oferta vijnë edhe nga klube të mëdha evropiane si Manchester City dhe Arsenal. Mes skuadrave që kanë bërë lëvizjet e para për zbulimin e tij është edhe Barcelona. Sipas gazetës spanjolle El Mundo Deportivo, disa vëzhgues blaugrana kanë qenë në Itali për ta ndjekur nga afër. Emri i Palestrës lidhet në Spanjë me atë të Barcelonës së bashku me emra të tjerë nga Serie A si Alessandro Bastoni dhe Andrea Cambiaso.
Barcelona po kërkon futbollistë të krahut, pasi e ardhmja e disa prej lojtarëve të saj anësorë — përmenden Jules Koundé, Alejandro Balde dhe Joao Cancelo — nuk konsiderohet e sigurt, çka e bën Palestrën një alternativë të vlefshme. Në vlerësimet spanjolle theksohet se Palestra di të mbulojë të dy krahët, ka aftësi teknike më shumë sulmuese sesa mbrojtëse, dhe disponon një prani fizike që i shton vlerën e tij në fushë.
Aktualisht vlerësohet rreth 30 milionë euro, por pritet që Atalanta të rrisë çmimin e kartonit për shkak të interesit të shumanshëm dhe për aftësinë e klubit bergamask për të maksimizuar fitimet nga shitjet e lojtarëve. Interesse të ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare mund ta nxjerrin Palestrën jashtë Serie A brenda periudhës së ardhshme, nëse klubi blerës do të plotësojë kërkesat ekonomike të Atalantës.














