Ambasada e Indisë ekspozitoi në ambientet e Qendrës për Hapje dhe Dialog foto të rralla të Nënë Terezës, të marra gjatë misioneve të saj në Indi dhe në vizat në Shqipëri. Ekspozita kremton trashëgiminë humanitare të Shenjtores, duke theksuar jetën e saj të përkushtuar në shërbim të më të varfërve dhe më të pambrojturve.
Ravindra Prasad Jaiswal, ambasadori i Indisë në Shqipëri, vuri në dukje lidhjet kulturore dhe shpirtërore që lidhen me veprën e Nënë Terezës. “Nënë Tereza mishëron më së miri Shqipërinë dhe popullin e saj. Megjithatë, thirrja e jetës së saj gjeti një jehonë në ethosin mijëravjeçar të Indisë, se hyjnorja është në çdo qenie njerëzore dhe se t’u shërbesh të varfërve dhe të pastrehëve do të thotë të adhurosh Zotin”, tha ai. Ai po ashtu theksoi se kontributi i saj për Indinë ka ndërtuar një lidhje të thellë midis dy vendeve: “Kontributi i saj i jashtëzakonshëm për Indinë ka krijuar një lidhje midis dy vendeve tona që shkon shumë përtej miqësisë, një lidhje e afërsisë së qëndrueshme”, deklaroi ai.
Ekspozita paraqet Nënë Terezën jo vetëm si laureate të Çmimit Nobel për Paqe dhe si humaniste globale, por edhe si një urë lidhëse midis dy kombeve dhe kulturave, duke përkujtuar vendosjen e marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Indisë para 70 vjetësh. Në fjalën e tij, ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, theksoi mesazhin që Nënë Tereza përcjell për përbashkësitë njerëzore: “Sot, gjithnjë e më shumë identitetet përcaktohen përmes dallimeve, sesa përmes asaj që kanë të përbashkët. Nënë Tereza na mëson të kundërtën. Ajo nuk e dallonte njeriun nga pasaporta, kombësia apo feja, por nga nevojat dhe dinjiteti”.
Nëpërmjet fotografive që dokumentojnë aktivitetet bamirëse dhe përfundojnë me ceremoninë mortore në Kalkutë, diplomatë dhe organizatorë shprehën vlerësimin për rolin e Nënë Terezës si shprehjen më të fuqishme të lidhjes midis Shqipërisë dhe Indisë: rrënjët e saj ishin shqiptare, misioni i jetës u realizua në Indi, dhe mesazhi i saj u bë universal. (Top Channel)

