Detaje prekëse janë bërë publike për 32-vjeçaren Erin Piacenti, një prej viktimave të sulmit me thikë në Times Square të New York-ut. Piacenti, e cila ishte zv/presidente në Bank of America, la pas vajzën e saj Madison, vetëm pesë muajshe. Familja thekson se “Jeta e Erin nuk u përcaktua nga rrethanat e vdekjes së saj, por nga mënyra se si ajo e jetoi atë”.
Të afërmit përshkruajnë Erin si një grua të përkushtuar ndaj familjes dhe miqve, shumë të zonjën në profesionin e saj dhe si një person që sillte ngrohtësi dhe energji te njerëzit përreth. Në faqen e mbledhjes së fondeve, thuhet se “Bërja nënë ishte dëshira më e madhe e jetës së saj dhe Madison i dha gëzimin më të madh të mundshëm”. Për familjen, shqetësimi kryesor tani është e ardhmja e Madison, prandaj kanë hapur një fushatë për mbledhjen e fondeve dhe bëjnë thirrje për kontribute për të ardhmen e vajzës për të nderuar kujtimin e Erin.
Erin dhe bashkëshorti i saj, Frank Piacenti, njiheshin që nga studimet në Fordham University Law School; më pas ndoqën karriera në fushën e ligjit dhe biznesit. Çifti u martua më 10 gusht 2024 dhe po ndërtonte jetën që kishte ëndërruar: kishin festuar përvjetorin, ishin kthyer nga një udhëtim familjar dhe po përgatiteshin për të ardhmen së bashku me vajzën e tyre të porsalindur. Një vit më parë, kishin blerë shtëpinë e parë në Chester, New Jersey, ku po nisnin jetën familjare. Familja thotë se “Të dy po përgatiteshin të ndërtonin një jetë me vajzën e tyre. Ajo jetë ndryshoi në mënyrë të paimagjinueshme në një çast”.
Vdekja e 32-vjeçares ka tronditur edhe kolegët e saj në Bank of America, ku ajo kishte punuar për rreth 18 muaj si zv/presidente në grupin e përzgjedhjes së biznesit dhe konflikteve. Kolegët e përshkruan atë si një profesioniste shumë të zonjën dhe të dashur, ndërsa banka shprehu dhimbjen për humbjen e “një kolegeje dhe mike të çmuar”.
Autoritetet tregojnë se Erin u godit me thikë nga Pamela Cisneros, 49 vjeçe, nënë e tre fëmijëve nga Queens, e cila sipas tyre kishte pasur probleme kronike të shëndetit mendor. Në të njëjtin sulm u plagos rëndë edhe Tak Kam, 68 vjeç, një baba nga Rhode Island. Cisneros u qëllua për vdekje nga efektivët e policisë së New York-ut pasi, sipas autoriteteve, tentoi t’i sulmonte ata duke mbajtur nga një thikë në secilën dorë. Sulmi la pas bashkëshortin dhe vajzën e vogël të Erin, e cila një ditë do ta njohë nënën përmes kujtimeve të njerëzve që e deshën.

