Policia e Tiranës finalizoi brenda 24 orëve të fundit dy operacione kundër krimeve ekonomike, duke zbardhur disa raste mashtrimi dhe vjedhjeje. Veprimet hetimore u kryen nga specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar dhe nga shërbimet e Komisariateve të Policisë Nr. 1 dhe Nr. 2, pas kallëzimeve të qytetarëve.
Në operacionin e koduar “Shuma” u arrestuan B. S., 31 vjeç, dhe S. M., 23 vjeç, ndërsa u shpall në kërkim R. H., 31 vjeç. Sipas Policisë, autorët përdorën inteligjencën artificiale gjatë komunikimit për t’u prezantuar, përmes mesazheve, si persona të njohur të një 70-vjeçari që ushtronte aktivitetin e këmbimit të valutave. I bindur nga ky komunikim, 70-vjeçari i dorëzoi autorëve 100 000 euro me pretendimin se do t’i ktheheshin pas disa orësh. Kur shuma nuk iu kthye në kohën e premtuar, ai njoftoi Policinë. Operacioni vijon për kapjen e R. H., për identifikimin e personit që ka marrë fizikishtë paratë në subjektin e 70-vjeçarit, si dhe për gjetjen e çdo tjetri të përfshirë.
Në operacionin e koduar “Imazhi” u kap dhe u ndalua i shpalluri në kërkim G. B., 37 vjeç. Ai dyshohet se më 14.08.2026 mori 20 000 lekë në dy biznese në rrugët “Brigada VIII” dhe “Teodor Keko”, duke mashtruar punonjësit se ishte i njohur i pronarëve dhe se do t’u kthente paratë menjëherë. Po ashtu, më 21.08.2026 dyshohet se ka vjedhur një çantë me 25 000 lekë brenda në një subjekt në rrugën “Skënder Luarasi”. Hetimi për dokumentimin e plotë të veprimtarisë së tij vijon.
Materialet procedurale janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme. Policia e Shtetit apelon për vigjilencë dhe kujdes ndaj rasteve të mashtrimit, duke kërkuar që të mos jepen para ose të dhëna për persona të paverifikuar, përfshirë edhe mesazhet apo videot e krijuara me inteligjencë artificiale. Po ashtu fton për denoncim të menjëhershëm të çdo dyshimi, personi të dyshuar apo rasti kur bien pre e veprave penale në fushën e mashtrimit dhe vjedhjes.

