Presidenti amerikan Donald Trump konfirmoi se gjatë një bisede telefonike e quajti kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu “të çmendur”, por nënvizoi se marrëdhëniet ndërmjet tyre mbeten të forta dhe se vazhdojnë të bashkëpunojnë ngushtë. Në një intervistë ekskluzive për podkastin “Pod Force One” të gazetës ‘The New York Post’, Trump tha se ishte i shqetësuar nga përshkallëzimi i luftimeve mes Izraelit dhe Libanit dhe se këto zhvillime rrezikojnë negociatat për paqe mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit. Ai deklaroi: “Isha pak i shqetësuar nga luftimet e vazhdueshme me Libanin” dhe sqaroi se megjithatë raportet e tij me Netanyahun mbeten pozitive: “Kemi punuar shumë mirë së bashku. Më pëlqen shumë Bibi dhe bashkëpunoj shumë mirë me të”.
Trump përshkroi veten si “një president në kohë lufte”, ndërsa Netanyahun si “një kryeministër në kohë lufte”. Ai shprehu optimizëm se një marrëveshje më e gjerë paqeje mund të arrihet së shpejti dhe minimizoi shqetësimet për ndikimin e konfliktit në tregjet energjetike, duke argumentuar se çmimet e naftës mbeten të menaxhueshme krahasuar me rrezikun që Irani të sigurojë armë bërthamore. “Të gjithë thanë se nafta do të shkonte në 300 apo 400 dollarë për fuçi. Aktualisht është rreth 98 dollarë për fuçi dhe ky nuk është një çmim i madh nëse merret parasysh mundësia që Irani të ketë armë bërthamore,” tha ai.
Presidenti po ashtu tha se bisedimet me Teheranin po përparojnë me shpejtësi dhe shprehu besimin se kriza do të zgjidhet në një afat relativisht të shkurtër. Raportimet se Trump përdori gjuhë të ashpër ndaj Netanyahut u publikuan fillimisht nga Axios dhe shkaktuan reagime të shumta në Shtetet e Bashkuara. Trump ka qenë i angazhuar prej javësh në përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund konfliktit dhe theksoi se mbetet i gatshëm të takohet me drejtuesit iranianë nëse rrethanat e lejojnë: “Do të doja t’i takoja të gjithë. Ndoshta do të kemi një takim në një moment, varësisht se si do të zhvillohen ngjarjet”.

