Më shumë se 100 mijë persona mbi 100 vjeç jetojnë aktualisht në Japoni, duke shënuar një rekord të ri për vendin që prej dekadash përballet me plakjen e popullsisë dhe rënien e lindjeve. Sipas ministrisë së Shëndetësisë, numri i njëqindvjeçarëve ka arritur në 107,677 persona, prej të cilëve 88% janë gra. Kjo është hera e parë që shifra kalon pragun e 100 mijë të tillë.
Gruaja më e moshuar në vend është Kishimoto Fuyo, 114 vjeç, nga Kioto, ndërsa burri më i moshuar është Kato Hikaru, 112 vjeç, nga Kumamoto. Ministri i Shëndetësisë, Kenichiro Ueno, e përshkroi rritjen e numrit të njëqindvjeçarëve si një zhvillim pozitiv, duke theksuar përparimet në mjekësi dhe teknologji që kanë ndihmuar njerëzit të jetojnë më gjatë, por paralajmëroi gjithashtu se plakja e popullsisë po krijon sfida për qëndrueshmërinë e sistemit japonez të sigurimeve shoqërore.
Kur Japonia nisi të mbante statistika zyrtare për personat mbi 100 vjeç në vitin 1963, kishte vetëm 153 njëqindvjeçarë. Numri kaloi 1,000 në vitin 1981 dhe arriti 10,000 në vitin 1998, derisa sot ka arritur 107,677 persona. Të dhënat janë publikuar në prag të festës kombëtare “Respekt për të Moshuarit”, gjatë së cilës qeveria nderon personat që mbushin 100 vjeç me një letër personale dhe një filxhan tradicional sake.
Ekspertët lidhin jetëgjatësinë e lartë në Japoni me një kombinim faktorësh, përfshirë dietën dhe aktivitetin fizik. Ushqimi tradicional japonez përbëhet kryesisht nga peshk, perime dhe oriz dhe zakonisht përmban më pak yndyrna të ngopura në krahasim me shumë dieta perëndimore. Një rol luan edhe mënyra aktive e jetesës: shumë të moshuar ecin rregullisht, përdorin transportin publik, lëvizin me biçikletë dhe kryejnë ushtrime shtrirjeje.
Plakja e shpejtë e shoqërisë ka nxitur zhvillimin e produkteve dhe teknologjive të dedikuara për të moshuarit, përfshirë ekzoskelete të fuqizuara që ndihmojnë lëvizjen dhe pajisje optike me fokus automatik.

