Islanda votoi kundër rifillimit të negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, duke i dhënë fund përpjekjes së qeverisë për të rikthyer në tryezë procesin e integrimit. Sipas transmetuesit publik RÚV, kampi kundër rifillimit siguroi shumicën e votave në referendumin ku rreth 270 mijë votues u pyetën nëse vendi duhet të rifillonte negociatat e anëtarësimit me BE-në. Referendumi tregoi një vend të ndarë mbi çështje kyçe, veçanërisht për të ardhmen e industrisë së peshkimit dhe sigurinë e vendit.
Mbështetësit e rifillimit argumentuan se anëtarësimi në BE mund të ndihmonte në uljen e normave të larta të interesit dhe të forconte sigurinë e Islandës në një periudhë me tensione ndërkombëtare, duke përmendur luftën në Ukrainë dhe debatet rreth Grenlandës. Kundërshtarët paralajmëruan se anëtarësimi do të cenonte sovranitetin e vendit, sidomos kontrollin mbi ujërat dhe industrinë e peshkimit — një nga temat më të ndjeshme për islandezët.
Qeveria e kishte përshkruar procesin si një moment “tani ose kurrë”, dhe kryeministrja Kristrún Frostadóttir i kishte bërë thirrje qytetarëve të merrnin pjesë në votim. Pas rezultatit, kryeministrja pritet të komentojë publikisht vendimin dhe pasojat e tij për qeverinë dhe marrëdhëniet e Islandës me Bashkimin Evropian. Nënvizohen se një “po” në referendum nuk do të kishte nënkuptuar anëtarësim të menjëhershëm, por vetëm rifillimin e negociatave; në rast të një anëtarësimi të ardhshëm, Islanda do të përballej me çështjen e politikës së përbashkët të peshkimit të BE-së.
Islanda kishte aplikuar për anëtarësim në BE në vitin 2009, pas goditjes së ekonomisë nga kriza financiare globale. Negociatat nisën, por një qeveri euroskeptike e ndërpreu procesin në vitin 2013. Megjithatë, Islanda aktualisht është pjesë e tregut të vetëm evropian përmes Marrëveshjes së Zonës Ekonomike Evropiane (EEA) dhe është pjesë e zonës Shengen. Rezultati i referendumit të 30 gushtit tregon se, për momentin, shumica e votuesve islandezë nuk mbështesin rikthimin e negociatave për anëtarësim në BE.

