Ish-futbollisti francez Dimitri Payet, 39 vjeç, është përfshirë në një skandal në Brazil vetëm dy muaj pas njoftimit të tërheqjes nga futbolli, pas 75 ndeshjesh me Vasco da Gama, për të cilën kishte dhënë një mesazh emocional për tifozët. Payet ka pasur një karrierë të gjatë, duke luajtur edhe për West Ham United, Olympique Marseille dhe për kombëtaren franceze.
Ai përballet me akuza të rënda nga ish-partnerja e tij, avokatja braziliane Larissa Ferrari, me të cilën, sipas raportimeve, ishte në një lidhje nga gushti 2024 deri në mars 2025. Ferrari ka ngritur pretencione për dhunë fizike, psikologjike dhe seksuale, duke pretenduar se marrëdhënia u kthye në abuzive dhe se Payet manipulonte dhe detyronte me shfrytëzim të gjendjes së saj emocionale. Në dëshminë e saj ajo përshkruan episode të dhunës gjatë marrëdhënieve intime dhe pretendon se pati një abort në shkurt 2025 në kulmin e krizës mes tyre.
Payet mohon kategorikisht të gjitha akuzat. Ai pranon se kishte marrëdhënie me Ferrarin, por thotë se gjithçka ka qenë me pëlqim dhe se praktikat intime ishin të dakorduara. Sipas versionit të tij, Ferrari kishte kërkuar të transferohej në Francë; pasi ai refuzoi, ajo e kishte kërcënuar me publikimin e informacioneve komprometuese.
Hetimet për rastin vazhduan gjatë vitit 2025. Prokuroria në Brazil ka rihapur çështjen për abuzim psikologjik, ndërsa avokatët e paditëses kërkojnë zgjerimin e akuzave edhe për dhunë fizike dhe seksuale, duke u mbështetur në dokumente, imazhe dhe biseda si prova. Mbrojtja e Payet ka paraqitur një dokument 64-faqësh ku vihen në dyshim besueshmëria e dëshmisë së Ferrarit dhe theksohet mungesa e provave mjeko-ligjore; ata kërkojnë shpalljen e pafajësisë menjëherë, duke insisituar se marrëdhënia ishte konsensuale.
Tashmë pritet vendimi i gjykatës, që do të përcaktojë nëse çështja do të pushohet apo do të kalojë në një seancë paraprake gjyqësore. Ferrari insiston se ka qenë viktimë e një marrëdhënieje abuzive dhe po kërkon drejtësi, duke shprehur shpresën që rasti i saj të shërbejë si shembull për të tjerët që përballen me abuzim.















