Çmimet globale të ushqimit u rritën për të tretin muaj radhazi, kryesisht për shkak të rritjes së kostos së energjisë dhe plehrave kimikë. Indeksi i Çmimeve të Ushqimit i Organizatës së Kombeve të Bashkuara (FAO) tregoi se çmimet e mallrave të shportës ushqimore u rritën me 1.6% në prill, duke iu shtuar rritjeve të regjistruara në shkurt dhe mars, raporton The Guardian.
Në prill, çmimet e vajrave bimore, mishit dhe drithërave u rritën, ndërsa çmimet e sheqerit dhe produkteve të qumështit ranë pak. Çmimet e drithërave u rritën me 0.8% gjatë muajit, pjesërisht për shkak të thatësirave në disa pjesë të Shteteve të Bashkuara dhe reshjeve nën mesataren në Australi. FAO nënvizon se ka pasur edhe ulje të rendimentit të grurit gjatë këtij viti, pasi fermerët po kalojnë në kultura më pak intensive në raport me përdorimin e plehrave kimikë për shkak të kostos së lartë të këtyre të fundit.
Rritja e çmimeve të plehrave lidhet me rritjen e çmimeve të energjisë dhe ndërprerjet e transportit, që sipas njoftimit lidhen me mbylljen e Hormuzit. Njoftimi i FAO përmend se kjo situatë sjell në kujtesë ngërçin e krijuar më parë me çmimet globale gjatë luftës në Ukrainë.
Çmimet e vajrave bimore shënuan një rritje të ndjeshme, duke u rritur me 5.9% në prill. Kjo rritje atribuohet kryesisht çmimeve më të larta të vajit të palmës, sojës, lulediellit dhe misrit. Për më tepër, rritja e çmimeve dhe problemet e furnizimit mund të fuqizojnë shqetësimet se çmimet e ushqimit do të vazhdojnë të rriten nëpër dyqane për muaj me radhë.
FAO paralajmëron se pasojat mund të ndjehen veçanërisht në Afrikë, ku mund të shfaqen mungesa të reja furnizimi.

