Me rastin e 1 Qershorit, Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve, Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale uroi fëmijët dhe publikoi Udhëzuesin “Për mbrojtjen e të dhënave personale të të miturve”. Dokumenti, hartuar në zbatim të ligjit nr. 124/2024 “Për Mbrojtjen e të Dhënave Personale”, synon rritjen e ndërgjegjësimit të fëmijëve, prindërve dhe institucioneve për rëndësinë e të dhënave personale dhe sigurinë në internet.
Udhëzuesi vë në dukje se përdorimi i përditshëm i rrjeteve sociale, aplikacioneve, lojërave elektronike dhe platformave online ekspozon të miturit ndaj rreziqeve digjitale. Shpërndarja e pakujdesshme e fotografive, publikimi i informacionit personal, komunikimi me persona të panjohur dhe përdorimi i aplikacioneve të pasigurta mund të ndikojnë në privatësinë, sigurinë dhe mirëqenien e tyre afatgjatë.
Si instrument praktik dhe edukues, udhëzuesi shpjegon në mënyrë të thjeshtë çfarë janë të dhënat personale, si përdoren ato online dhe përse duhet të mbrohen. Ai trajton të drejtat e të miturve si subjekte të të dhënave personale, duke përfshirë të drejtën për informim, akses, korrigjim, fshirje, kufizim të përpunimit dhe të drejtën për t’u harruar, si dhe orienton mbi mënyrën e kërkimit të ndihmës dhe reagimit ndaj shpërndarjeve të paautorizuara ose cenimit të privatësisë.
Udhëzuesi ofron këshilla praktike për përdorimin e sigurt të internetit: krijimin e fjalëkalimeve të forta, kontrollin e cilësimeve të privatësisë në rrjetet sociale, shmangien e ndarjes së informacionit personal me persona të panjohur, kujdes ndaj lidhjeve dhe aplikacioneve të pasigurta dhe rëndësinë e mendimit para publikimit të fotografive ose informacioneve.
I kushtohet vëmendje rreziqeve si bullizmi kibernetik, mashtrimet online, gjurmimi i aktiviteteve dhe përdorimi i të dhënave për marketing ose profilizim. Me shembuj konkretë dhe gjuhë të përshtatur për moshat, udhëzuesi synon të forcojë ndërgjegjësimin dhe përgjegjshmërinë e të miturve në përdorimin e teknologjisë.
Dokumenti nënvizon rolin e prindërve, mësuesve dhe institucioneve arsimore në krijimin e një mjedisi digjital më të sigurt, duke nxitur komunikimin, mbështetjen dhe edukimin e vazhdueshëm. Zyra e Komisionerit deklaron angazhimin për promovimin e një kulture të qëndrueshme të mbrojtjes së të dhënave dhe ndërtimin e një interneti më të sigurt për fëmijët. Udhëzuesi i plotë është i publikuar në faqen zyrtare të institucionit.

