Mjeti i inteligjencës artificiale Grok, i zhvilluar nga kompania e Elon Musk, është përdorur në operacionet ushtarake amerikane kundër Iranit, sipas një dokumenti gjyqësor të qeverisë amerikane të siguruar nga AFP. Zbulimi përfshihet në një dosje të paraqitur më 15 qershor në kuadër të një mosmarrëveshjeje ligjore që lidhet me funksionimin e një qendre të dhënash të xAI, degë e grupit të Musk që merret me inteligjencën artificiale dhe mediat sociale.
Në dokument, Departamenti i Drejtësisë mbron përdorimin e turbinave me gaz që furnizojnë me energji qendrën e madhe të dhënash të xAI, e cila është objekt i një padie mjedisore. Autoritetet argumentojnë se ndërprerja e funksionimit të kësaj infrastrukture do të cenonte sigurinë kombëtare, ekonomike dhe energjetike të Shteteve të Bashkuara, pasi mbështet zhvillimin e teknologjive të inteligjencës artificiale të përdorura nga ushtria.
Prokurorët federalë cituan një deklaratë të Cameron Stanley, drejtues i programeve të inteligjencës artificiale në Pentagon, i cili konfirmon se Grok përdoret në kuadër të Projektit Maven, programi ushtarak amerikan për identifikimin dhe përzgjedhjen e objektivave me ndihmën e inteligjencës artificiale. Sipas dokumentit, sistemi Maven Smart Systems (MSS) u mundësoi forcave amerikane të godisnin më shumë se 2,000 objektiva me mbi 2,000 municione brenda 96 orëve gjatë operacionit të quajtur “Epic Fury”. Stanley vlerëson gjithashtu se modeli Grok Gov ka rritur ndjeshëm efikasitetin operacional të forcave amerikane.
Zbulimi vjen ndërsa xAI përballet me një betejë ligjore me organizatën për të drejtat civile NAACP, e cila akuzon kompaninë për përdorimin e dhjetëra turbinave me gaz pa lejet e nevojshme mjedisore. Sipas padisë, këto objekte shkaktojnë ndotje në zona të banuara kryesisht nga komunitete afrikano-amerikane. xAI pohon se turbinat janë të përkohshme dhe të lëvizshme, prandaj nuk i nënshtrohen të njëjtat kërkesa rregullatore si impiantet e përhershme. Hetimet dhe procesi gjyqësor vazhdojnë.

