SPAK ka zbuluar një rrjet të gjerë që prodhonte dokumente të falsifikuara dhe organizonte kalime të jashtëligjshme të kufijve drejt Mbretërisë së Bashkuar, Kanadasë dhe Amerikës. Hetimi, në bashkëpunim me autoritetet spanjolle, konfirmon përfshirjen e agjencive të udhëtimit “Boris Travel” dhe “Domi Travel” në transportimin e dokumenteve dhe personave, akomodimin dhe udhëzimin e emigrantëve për itinerarin. Në vitin 2023 u krijua një skuadër e përbashkët hetimore me autoritetet gjyqësore të Tarragonës; u përdorën metoda speciale hetimi, përfshirë përgjime telefonike, vëzhgime në ambiente private dhe automjete, veprime simuluese-blerje dhe agjent të infiltruar.
Sipas Prokurorisë së Posaçme, drejtues i grupit është Bashkim Sula, i cili ka lidhje me të gjithë të pandehurit dhe organizon prodhimin e pasaportave false — kryesisht sllovene, italiane dhe rumune — të prodhuara në Kosovë dhe Shqipëri. Shtetasit Xhelal Krasniqi dhe Fitim Rama siguronin pasaportat e falsifikuara të prodhuara në Kosovë, të cilat përdoreshin më tej në territorin shqiptar dhe dorëzoheshin dorazi tek ndërmjetësi Njazi Ademaj. Ademaj bashkëpunon me Ylli Brahimajn dhe me agjencinë “Domi Travel”, ku drejtues është Rrezart Domi; në dosje përmenden edhe punonjësit Osman Luca, Artur Mici, Emilajn Marashi, Adrian Mema, Jugert Gashi, Maksin Domi dhe Arsen Caka, të angazhuar në transport drejt Spanjës — kryesisht Tarragona.
Transporti realizohej rrugë tokësore ose ajrore; kur udhëtohej me avion, emigrantët akomodoheshin në të njëjtat hotele me drejtuesit e automjeteve dhe më pas udhëzoheshin për kontaktet në Irlandën e Veriut. Grupi përdorte personel si Gridi Elezi për sigurimin e dokumenteve false. Hetimi dokumenton mbi 44 raste të përdorimit të pasaportave të falsifikuara në aeroporte spanjolle dhe prodhimin e të paktën 70 pasaportave dhe shumës kartash identifikimi e patentash.
SPAK thotë se efektivi i policisë Roland Islamaj kishte dijeni për aktivitetin, por nuk mori masa. Prokurorja Elida Kaçkini ka mbledhur prova, përfshirë biseda të përgjimit që tregojnë zinxhirin e veprimeve: sigurimin e dokumentit nga Sula, dorëzimin tek Ademaj, dërgimin përmes agjencisë “Domi” dhe dorëzimin tek shoferi Arsen Caka. Një rast konkret përmendet kur më 5 tetor 2023 shtetasi Sh. Gj. u arrestua në aeroportin El Prat-Barcelonë me dokumente sllovene të falsifikuara, duke tentuar të fluturonte për në Dublin. SPAK e cilëson këtë veprimtari si pjesë të një skeme më të gjerë që do të zbulohet me detaje shtesë nga përgjimet.

