Violand Braçellari, i dënuar më parë dy herë për kultivim kanabisi (me 10 dhe 5 vjet burg), është i njohur edhe për aktivitet të gjatë kriminal dhe përkohësisht i shpëtoi drejtësisë, ndërsa veprimtaria e tij u zgjerua duke krijuar bazën në malin e Bodes. Emri i tij shfaqet në kartelat e policisë në vitin 2019, kur më 26 prill plagosi kushëririn e tij, Gani Braçellarin; procedimi u regjistrua më 5 qershor 2019.
Sherri mes tyre kishte një shkak të parëndësishëm: Berdane Braçellari, nëna e Violandit, kishte hapur derën e haurit për të nxjerrë viçat në kullotë, ndërsa Gani po nxirrte rakinë në oborrin e tij. Bagëtitë e Berdanes hynë në oborrin e Ganit dhe shkaktuan dëme duke shkelur zorrën e ujit, çka solli debatin. Në atë moment Violandi mbërriti dhe e goditi Ganin me shkop në kurriz dhe në këmbë.
Sipas ekspertizës mjekësore, Gani Braçellarit pas goditjeve i janë shkaktuar shembje në shpinë, në kofshën e majtë, hematoma në të dy anët e shpinës, si dhe në krah. Megjithëse Violandi ishte i pranishëm në zonë, nuk u arrit të gjendej dhe të arrestohej. Pas mbylljes së hetimeve dhe kalimit të dosjes në seancë paraprake, më 25 nëntor 2019 Gani deklaroi para trupit gjykues se e kishte falur kushëririn dhe nuk dëshironte që ai të ndiqej më penalisht: “E kam falur kushëririn tim, Violand Braçellari, për goditjen me shkop. I kemi rregulluar marrëdhëniet me njëri-tjetrin dhe nuk dua që çështja të ndiqet penalisht.” Kjo dëshmi çoi në mosveprimin e mëtejshëm penal, pavarësisht ekzistencës së faktit penal.
Nga radhët e profesionistëve u theksua nevoja për përdorimin e strukturave të specializuara kur kemi të bëjmë me persona të armatosur. Avokati Gjergj Nikolli deklaroi se në raste të tilla duhet mbështetja e forcave speciale, pasi ato kanë aftësinë dhe përgatitjen për ndërhyrje, ndërsa policia lokale nuk duhet të ndërmarrë rreziqe të tilla. Drejtuesi i sindikatës së policisë, Sadedin Fishta, vuri në dukje se zbatimi i procedurave standarde dhe dërgimi i detyrave te strukturaja e duhur do të parandalonte përplasje dhe gabime si në këtë rast.

