Evelyn Lima Dantas, 21 vjeçe dhe influencuese me mbi 150 mijë ndjekës në rrjetet sociale, u nxor me forcë nga banesa e saj dhe u qëllua për vdekje para syve të babait në orët e para të të mërkurës, vetëm pak ditë pasi ishte liruar nga paraburgimi. Ajo po hetohej për përfshirje të dyshuar në vrasjen e një ish-polic i në verilindje të Brazilit kur u ekzekutua.
Sipas dëshmisë së babait, rreth orës 03:30 dy persona hynë me forcë në banesën e familjes, e nxorrën jashtë dhe e qëlluan disa herë. Në vendngjarje autorët shkruan me bojë spraj shkronjat “TCP”, akronim që i referohet grupit kriminal Terceiro Comando Puro. Dëshmitarët thanë se autorët u larguan me një automjet para mbërritjes së policisë. Kur efektivët arritën, gjetën trupin e 21-vjeçares në trotuar, të mbuluar me një çarçaf.
Vrasja ndodh ndërsa prokuroria po hetonte ekzekutimin e ish-policit Antonio Anildo Alves da Silva, 56 vjeç, i vrarë më 29 korrik nga katër persona me fytyra të mbuluara jashtë një supermarketi. Hetuesit dyshonin se Dantas kishte ndihmuar autorët e atij ekzekutimi dhe ajo ishte arrestuar në korrik; më 9 shtator u lirua përkohësisht, rreth një javë para vrasjes së saj. Policia gjithashtu përmend se vajza ishte e njohur më parë për autoritetet pas një arrestimi të mëparshëm nën dyshimin për trafik droge në interes të një grupi kriminal.
Autoritetet kanë nisur hetimet për vrasjen dhe po punojnë për identifikimin dhe arrestimin e autorëve. Megjithatë, policia thekson se ende nuk mund të konfirmojë nëse grupi i përmendur në mbishkrimin “TCP” kishte rol real në ekzekutim. Një nga pistat që po hetohet është se vrasja mund të ketë qenë një akt hakmarrjeje. “Po punojmë me hipotezën e një tentative për të mbuluar gjurmët ose të një hakmarrjeje nga ndonjë fraksion kriminal”, tha Rodrigo Lopes për gazetarët.

